Dinamo Ferizajit kompleton stafin teknik para ndeshjes së barazhit
Pas largimit të trajnerit Egzon Shabani, Dinamo e Ferizajit nuk ka humbur kohë dhe ka kompletuar stafin teknik, para ndeshjes së barazhit për inkuadrim në Superligë, kundër Lirisë.
Skuadra ferizajase ka njoftuar se Burim Qerkini dhe Fatos Ademi janë rikthyer në klub, shkruan IndeksOnline.
”Burim Qerkini dhe Fatos Ademi rikthehen te FC Dinamo!
Në momentet më të rëndësishme, rikthehen njerëzit që zemrën e tyre ia kanë falur gjithmonë këtij klubi!
Për ndeshjen e barazhit këtë të premte, rikthehen dy emra që janë pjesë e historisë, sakrificës dhe shpirtit të FC Dinamo Ferizaj, Burim Qerkini dhe Fatos Ademi.
Edhe kur nuk kanë qenë zyrtarisht pjesë e stafit, ata kurrë nuk iu ndanë klubit. Kanë qenë gjithmonë pranë Dinamos, në ditët më të vështira dhe në momentet më të mëdha.
Që nga dita e themelimit të klubit, ata kanë jetuar çdo emocion me këtë klub, çdo fitore, çdo dhimbje, çdo sakrificë dhe çdo hap drejt ëndrrës sonë kanë dhënë mundin dhe besimin e tyre për Dinamon dhe për qytetin tonë.
Sot, kur na pret beteja më e madhe e sezonit, rikthimi i tyre nuk është vetëm një përforcim, është rikthimi i shpirtit të Dinamos!
Të premten nuk luajmë vetëm për një ndeshje, luajmë për krenarinë, për qytetin dhe për historinë tonë.
Të bashkuar deri në fund!”, thuhet në njoftim./IndeksOnline/

