14:03 / E Diele, 03 Maj 2020 / indeksADMonline

Disa tipe kolegësh me të cilët mund të punoni

Shpesh, për të qenë të lumtur dhe të kënaqur me punën tonë, një pagë e mirë ose punësimi në kompaninë e ëndrrave nuk mjafton. Prandaj është thelbësore që të krijoni një marrëdhënie pozitive me kolegët e punës.

Sigurisht kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Në ambientet e punës jemi të detyruar të bashkëpunojmë me njerëz të cilët nuk na pëlqejnë, e megjithatë, me këta njerëz do të kalojmë pjesën më të madhe të ditës. Është shumë e rëndësishme të krijoni marrëdhënie të mira me ata që punoni.

Për ta bërë këtë, duhet t’i njihni mirë ata që keni përballë, me të cilët, dita-ditës, do t’ju duhet të bashkëveproni. Më poshtë keni të listuar disa tipe kolegësh që me siguri do t’i takoni në vendin tuaj të punës.

Kolegu që merret me thashetheme

Atë e ka zili edhe një agjent i CIA-s. Gjithmonë di gjithçka dhe i di këto gjëra para të tjerëve. Nëse doni të kërkoni ndonjë informacion, drejtojuni atij. Njeh gati çdo punonjës dhe di pothuajse gjithmonë çdo strategji të kompanisë ku punon.

Nuk ka rëndësi nëse e doni apo e urreni, pasi në mesin e mijëra informacioneve që mban, ka patjetër një informacion që lidhet me ju. Vendi i përsosur për të krijuar marrëdhënie me një koleg të tillë është takimi në kafene. Aty ky person zhbiron e zhurmon ngjarjet e mikrokozmosit të punës.

Punonjësi i përkyer

Tom Cruis-i i organizatës. Nuk e humb kurrë entuziazmin. Vrapon nga një departament në tjetrin dhe të gjithë e duan, veçanërisht shefat. Vështirë të ecësh në një vrull me të sepse gjithmonë merr iniciativën dhe duket sikur nuk gabon kurrë. Si ka mundësi që gjithmonë ka përgjigjet e duhura? Nuk do ta dimë kurrë. Ama përgatituni, sepse këta njerëz shpesh kanë karizmën e udhëheqësit. Në një farë mënyre do ta gjesh veten duke hyrë në orbitën e tij, aq e fortë është forca e tij gravitacionale.

Kolegu që vetëm ankohet

Nëse ka diçka të gabuar në punë ai e ka përjetuar i pari. Ka një problem me shefin, me burimet njerëzore, me pagën madje edhe me kondicionerin. Asnjëherë nuk duket i kënaqur, dhe gjithmonë ka diçka që duket se nuk shkon mirë për të.

Problemi qëndron se ai ndan zhgënjimin e tij me të gjithë. Shumicën e kohës, kolegë si këta duhen mbajtur sa më largë. Ndoshta edhe ti do ë kesh diçka për tu ankuar dhe do të përfundoni kështu në vorbullën e tyre. 

Rrëmbyesit e zemrave

Këta njerëz tërheqin vëmendjen tonë sapo i shohim. Janë magjepsës, shpesh të bukur, dhe ndonjëherë na duket sikur mund të kalojmë orë të tëra duke i dëgjuar. Të gjithë duan ta kenë pranë. Ky lloj kolegu është i vetëdijshëm për bukurinë që rrezaton, deri në atë pikë saqë e përdor për të arritur atë që do. Rrëmbyesit e zemrave shpesh nuk japin ndonjë kontribut të vecantë në kompani, por përdorin të gjitha armët e tyre për t’ju bërë të besoni të kundërtën. Nga anë tjetër, këta tipe kolegësh e duan ambientin e punës, prandaj janë gjithmonë të pranishëm dhe nuk bëjnë mungesa të pajustifikuara.

Kolegu që ha gjatë gjithë kohës

Me patjetër do ta gjeni duke u përtypur. Pavarësisht nëse hanë nga nervozizmi apo kanë një metabolizëm që funksionon me shpejtësinë e dritës, gjithnjë do ta shihni duke ngrënë. Tavolina e tij është gjithmonë e shtruar (shpesh e çrregullt) dhe goja e tij gjithmonë e mbushur.

Nëse keni një kuzhinë të përbashkët, ky individ do të jetë mbreti i padiskutueshëm. Erërat që përhapen nëpër korridor janë vepra e tij. Mikrovala do rrotullohet me orë të tëra vetëm për të ngrohur ushqimet e tij.

Kolegu që thotë vetëm PO (lajkatari)

Gjithmonë thotë po për çdo propozim, për çdo detyrë, madje edhe për çdo qortim. Nuk e humbet kurrë mundësinë për t’i bërë përshtypje shefit. Zakonisht, ky lloj kolegu ka tendencë të formojë një grup të bashkuar ku ata bisedojnë vetëm me njëri-tjetrin (ose me shefat). Janë të parët që mbërrijnë në punë dhe të fundit që largohen. Janë kryesisht antipatikë. Mbi të gjitha sepse shpesh mendojnë se kanë të drejtën t’ju tregojnë se çfarë duhet të bëni në punë. Janë të parët që shkojnë dhe raportojnë te shefi i tyre se çfarë keni bërë gabim.