09:37 / E Enjte, 12 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Distria Krasniqi, në finale të Mastersit të Kinës

Medalistja e bronztë botërore në xhudo, Distria Krasniqi, ka shënuar një tjetër sukses në karrierën e saj. Ajo u kualifikua në finale (-48 kg) të njërës prej garave më të forta në xhudo, Mastersit të Qingdaos së Kinës.

Xhudistja jonë kaloi rrethin e parë pa luftë, më pas mposhti Katharina Menzin e Gjermanisë, ndërsa në çerekfinale mundi Orgintsetseg Galbadrakhun e Kazakistanit.

Në gjysmëfinale kaloi pengesën Urantsetseg Munkhbatit të Mongolisë, ndërsa në finale do të përballet me një tjetër mongoleze, Narantsetseg Ganbaatar. Blloku final nis pas një ore.

Sot garoi edhe Nora Gjakova në kategorinë deri në 57 kilogramë, por që kampionja dhe nënkampionja e Evropës u ndal në luftën e parë nga Jisu Kimi e Koresë së Jugut.