Do të mbyllen të gjitha llogaritë e rrejshme të Big Brother Vip Kosova
Kanë mbetur edhe pak ditë para se të nisë transmetimi i Big Brother VIP Kosova.
Kjo ngjarje ka marrë vëmendje të madhe dhe është duke u pritur me padurim nga shumë shikues.
Pavarësisht asaj se Big Brother VIP Kosova, së bashku me televizionin Klan Kosova dhe portalin klankosova.tv, i ka hapur faqet e veta zyrtare në rrjetet sociale, ka shumë llogari të rrejshme, të cilat janë hapur nga persona të paautorizuar.
Për të mësuar më shumë rreth kësaj çështjeje, klankosova.tv e ka intervistuar ekspertin e rrjeteve sociale, Valon Kerollin, i cili udhëheq me rrjetet sociale të Big Brother VIP Kosova.
“Big Brother VIP Kosova është një projekt ndërkombëtar dhe mjaft i kushtueshëm, prandaj produksioni do të jetë i pakompromis ndaj llogarive të rrejshme dhe të paautorizuara që do të tentohet të hapen në rrjetet sociale”.
“Vetëm gjatë javës së fundit janë mbyllur rreth 100 llogari/faqe në Facebook, Instagram, TikTok dhe Youtube”.
Ai tregon se për menaxhimin dhe mbrojtjen e të drejtave autoriale janë të angazhuar dhjetëra persona vetëm në Kosovë si dhe ekipi qendror i Big Brother në Londër.
“Është me rëndësi të theksohet se edhe llogaritë e tjera të rrejshme që pritet të hapen në të ardhmen, të gjitha ato do të mbyllen”.
“Po ashtu çdo video e shkëputur apo transmetim i paautorizuar i pamjeve të Big Brother VIP Kosova do të fshihet në kohë reale”.
Kerolli shton se gjithçka nga shtëpia e Big Brother VIP Kosova do të publikohet në faqet zyrtare të Big Brother VIP Kosova, Klan Kosova dhe Artmotion.