14:21 / E Enjte, 25 Janar 2018 / indeksADMonline

Dobësohet Vetëvendosja, largohen “kallabllakë” aktivistë: Po ikim krenar, nuk pendohemi

Aktivistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Teutë Rrusta ka thënë se ajo së bashku me disa aktivistë të sekretariat të përgjithshëm, të cilët kanë pasur edhe role të ndryshme pothuajse në të gjitha komunat , nuk do të jenë më pjesë e Vetëvendosje.

Këtë ajo e ka bërë të ditur përmes një konference për media, ku të pranishëm ishin të gjithë këta aktivistë të cilët më nuk janë pjesë e VV-së.

“Ne refuzojmë të jemi pjesë e një subjekti dhe refuzojmë të heshtim prej këtij momenti të gjithë ne. Disa aktivist të sekretariatit të përgjithshëm nuk do të jemi më pjesë e VV-së, vullnetin tonë politik do ta shprehim në forma të reja”, ka deklaruar Rrusta.

Gjatë konferencës ajo foli për shumë pakënaqësi të këtyre aktivistëve dhe mospajtimet e tyre me zhvillimet e fundit në VV.

Ndërsa, ajo ka shtuar se gjatë kohës që ata kanë qenë në Vetëvendosje janë përkushtuar maksimalisht, duke kryer punët e tyre të përditshme me vullnetin më të madh.

“Janë shumë aktivistë puna e të cilave s’mundet të matet me orë, pasi për pjesën dërmuese Lëvizja ka qenë përditshmëria jonë. Kemi mësuar kritikën dhe angazhimin, dhe kemi dhënë kontributin tonë për më të mirën. Kemi ardhur në Lëvizje me vullnetin të madh”, ka thënë Rrusta.

Ajo më tej ka treguar se e gjitha ka filluar që nga tetori i vitit 2016, duke thënë se është parë se është shkel çdo limit dhe se e vetmja rrugë ka qenë ndarja.

“Ne s’mundemi me gjet  veten më që nga tetori i vitit 2016, kur është kuptuar se ka kaluar cdo limit, dhe e vetmja rrugë është ndarja. Vitin e fundit kemi dëgjuar fjal te tilla që s’jeni këtu për të dëgjuar por për t’ju bind çfarëdo urdhri. Ne nuk jemi kritikuar por jemi akuzuar si pjesë  nga grupe të dyshimta. Pra, tash kanë mbetur shumë paqartësi, dyfytyrësi dhe është mirë të sqarohen”, ka shtuar më tej ajo.

“Ka lind edhe një grup paralel i cili jashtë strukturave normale të VV-së kanë organizuar takime paralele, që ne i kemi kuptuar përmes mediave”, ka thënë më tej ajo./Indeksonline/