Dorëzohen në Prokurori kallëzime penale ndaj Serbisë për krime lufte (Foto)
Grupi i Shoqërisë Civile për grumbullimin e dëshmive për krime lufte dhe përgatitjen e kallëzimeve penale kundër kriminelëve serbë gjatë luftës së viteve 1998/99, ka dorëzuar sot kontingjentin e pestë me kallëzime penale në Prokurorinë Speciale.
Përfaqësuesja e Grupit të Shoqërisë Civile, Mevlyde Mezini Saraçi bëri të ditur se janë mbi 150 kallëzime penale, të cilat sot i janë dorëzuar Prokurorisë Speciale në Prishtinë.
“Uroj që këto kallëzime penale të marrin rrugën e drejtësisë dhe të dënohen kriminelët”, tha Mezini-Saraçi.
Sipas saj, kallëzimet penale janë të pasura me dëshmi dhe të konkretizuara, të cilat deri tash së voni kanë qenë të fshehura.
“Familjarët i kanë përshkruar personat me emra, me mbiemra, me pamje, me maska, kanë treguar kënd e kanë vrarë prej familjes kush i ka djeg shtëpia. Ka treguar se ushtria jugosllave ka qenë e përfshirë në pjesën e bllokut të ri në Gjakovë në pjesën kufitare me Shqipërinë dhe kriminelët serbë, të cilët kanë përdorur edhe gjuhën shqipe me maska për t’i vrarë bashkëqytetaret e tyre. Mendoj se ka mjaft dëshmi gjykata ka nevojë që ata të gjitha e kanë shkruar numrin personal mund të dëshmojnë”, tha ajo.
Mezini-Saraçi ftoi edhe komunat e tjera që të veprojnë njëjtë sikurse Gjakova.
“Sot kemi ardhur të dorëzojmë kontigjentin e pestë të kalëzimeve penale të kriminelëve serbë të cilët shëtisin në Serbi e në Kosovë. Nuk mjafton mobilizimi i Gjakovës sepse kriminelët kanë shëtitur gjithë Kosovën”, tha ajo.
Pas dorëzimit të kallëzimeve penale, Saraçi u shpreh se beson që së shpeti do të shihen me kriminelët në Gjykatë, pasi që siç tha ajo, Prokuroria është duke u marrë me rastet penale të paraqitura deri më tash.