10:28 / E Hënë, 17 Shtator 2018 / indeksADMonline

Dorëzohet Vettel: Nuk mund të ndjekim Mercedesin

Pas paraqitje zhgënjyese në garën e Singaporit, ku Sebastian Vettel u rendit në vendin e tretë, duke shkuar në 40 pikë disavantazhi me Leëis Hamilton, piloti gjerman i Ferrarit është shprehur se për të shanset për të fituar titullin kampion janë ulur ndjeshëm. Madje ferraristi duket i dorëzuar në këtë betejë me rivalin e Mercedes.

“Për asnjë moment nuk dueluam dot për fitoren në garën e Singaporit. Nuk kishim ritmin e Mercedes dhe nuk kishim shpejtësi. U përpoqa të isha agresiv në fillimin e garës, por edhe kjo nuk funksionoi”, u shpreh Vettel.

“Hyra më herët në bokse, pasi shpresoja të dilja para Hamilton, por kjo rezultoi një zgjedhje e gabuar, pasi humbëm edhe vendin e dytë. Duke qenë se zgjodhëm një set gomash ndryshe nga rivalët, u detyrova të ulja ritmin dhe të ruaja vendin e tretë”, tha Vettel

Në fund, piloti gjerman shton: “Ishte një fundjavë zhgënjyese, që nisi të shtunën me provat zyrtare dhe u mbyll me garën. Nuk arritëm në asnjë moment të merrnim maksimumin nga makina dhe nga vetja jonë, nuk ishim në gjendje të duelonim me Mercedes. Më vjen keq…”.