75 Mall Live Search
19:01 / E Martë, 27 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Vettel më i shpejti në provat e Abu Dhabi

48 orë pas garës së zhvilluar në pistën e Yas Marina pilotët e Formula 1 janë rikthyer në pistë, këtë herë për të zhvilluar testet 2-ditore të lejuara nga FIA, ku pilotët janë ambientuar edhe me tipet e reja të gomave Pirelli që do të përdoren gjatë 2019-ës.

Në përfundim të testeve të zhvilluara sot, kohën më të shpejtë e dha piloti gjerman i Ferrarit, Sebastian Vettel. Ai ndali kronometrin në kohën 1’36”812, ndërkohë që në total kompletoi 69 xhiro.

Në vendin e dytë u klasifikua piloti finlandez i Mercedes, Valtteri Bottas, që kompletoi më shumë xhiro nga të gjithë, 120, por që ishte gati gjysmë sekondi më i avashtë. Ndërsa në vendin e tretë u rendit piloti Lance Stroll me Force India, që la pas Max Verstappen me Red Bull dhe Sergio Perez. Në pistë zbriti për herë të parë me makinën zyrtare Williams pas 8 vitesh Robert Kubica, i nënti.

Në pistë zbriti edhe finlandezi Kimi Raikkonen, që vitin tjetër do të garojë me makinën Sauber, i 11-ti dhe në total zhvilloi 100 xhiro. Nesër do të zhvillohen edhe testet e ditës së dytë, ku pilotët do të testojnë edhe disa ndryshime aerodinamike të makinës, që sezonin tjetër do të ketë pjesën e përparme më të vogël, për të lejuar më shumë parakalimet.

Temat: