11:37 / E Hënë, 17 Janar 2022 / MSH

Dosja e Netanyahut mund të mbyllet me pranimin e fajësisë

Ish-kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu është duke negociuar një marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Sipas BBC, kjo mund t’i japë fund gjyqit të tij për korrupsion.

Një marrëveshje mund të bëjë që Netanyahu, 72 vjeç, të deklarohet fajtor dh të ulë akuzat në këmbim të shërbimit në komunitet, në vend se të vuajë denimin me burg, transmeton Indeksonline.

Raportet thonë se Netanyahu, megjithatë, po kundërshton pranimin e një akuze që do të kërkonte që ai të largohej nga politika.

Udhëheqësi më jetëgjatë i Izraelit u rrëzua nga pushteti pas zgjedhjeve të vitit të kaluar.

Ai është kreu i partisë së djathtë Likud, partia më e madhe në parlamentin izraelit dhe ishte kryeministër për 15 vite.

Në pesë vitet e tij të fundit në detyrë, Netanyahu u ndoq nga një hetim policor për akuzat kundër tij, ndërkaq gjykimi i tij filloi në vitin 2020.

Ai akuzohet për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në lidhje me tre raste të veçanta. 

Netanyahu, deri më tani, i ka mohuar akuzat ndaj tij, duke thënë se ato janë me motive politike.