75 Mall Live Search
17:00 / E Mërkurë, 11 Nëntor 2020 / Blerim

Drejtoresha e shkollës “Naim Frashëri” në Prishtinë, detyron mësimdhënësit të nënshkruajnë një shkresë antiligjore

Tashmë dy vjet, në vazhdimësi ka ankesa për punën e Shqipe Vllasalia- Mehmedi, drejtoreshë e SHF “Naim Frashëri”, në kryeqytet.

Ankesa për punën e saj kanë shprehur mësimdhënësit e kësaj shkolle, nxënësit dhe Këshilli i prindërve.

Madje, disa nga arsimtarët e kësaj shkolle, meqë  ankesat e tyre për largimin e saj s’u realizuan kanë dalë edhe në protesta.

Por, ajo drejtoreshë, vazhdon të ushtrojë presion e dhunë psikike ndaj mësimdhënësve. IndeksOnline mëson se ajo sot, ka shpërndarë një shkresë, e cila është antiligjore, ku ajo ka kërkuar nga ta që ta nënshkruanin këtë dokument.

Madje Vllasalia-Mehmedi, këtë gjest e ka bërë, duke penguar mësimdhënësit, të cilët ishin duke zhvilluar mësimin me nxënësit.

Sipas informative që ka IndeksOnline, po ashtu edhe Inspektorati i Ministrisë së Arsimit, ka dërguar dy shkresa në DKA për keqpërdorimin e pozitës zyrtare për rastin e njëjtë.

Gjithashtu, IndeksOnline ka raportuar edhe më herët për presionin e vazhdueshëm dhe keqpërdorim, që kjo drejtoreshë bën në detyrë.

Ndryshe, pavarësisht raportimeve dhe këtyre shkeljeve ligjore, Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Arsimit, s’ka marrë asnjë hap konkret./Indeksonline