10:52 / E Mërkurë, 28 Mars 2018 / indeksADMonline

Drejtori i AKK-së jep statistikat në luftimin e korrupsionit

Agjensia kundërkorrupsion ka mbajtur një konferencë për media, ku ka njoftuar publikun e gjerë për situatën në këtë institucion.

Drejtori i AKK-së, Shaip Havolli, ka treguar se sa i përket ligjit të deklarimit të pasurisë, do të ketë kompetenca shtesë për gjurmimin e pasurisë së zyrtarëve.

“Sa i përket ligjit të deklarimit të pasurisë pritet që ky ligj të rregullohet në disa çështje që janë paraqitur pengesa. Do të ketë kompetenca shtesë sa i përket gjurmimit të pasurisë”, tha Havolli.

Havolli ka treguar se 4 mijë e 498 zyrtarë kanë qenë të detyruar të paraqesin pasurinë, një pjesë e tyre nuk e kanë bërë, e një pjesë tjetër e kanë bërë me vonesë.

Ndërkaq, sa i përket rasteve të konflikt të interesit, ai ka treguar se kanë qenë gjithsej 166 raste.

Po ashtu, tema më e përfolur në vend, ajo e korrupsionit, Havolli ka sqaruar se Kosova ka shënuar ngritje në uljen e korrupsionit, por se ende nuk është në nivelin e kënaqshëm.

“Strategjia kundër korrupsionit është hartuar dhe pritet të kalojë në kuvend. Sa i përket korrupsionit Kosova është renditur pak më mirë se vitin e kaluar dhe ne e kemi ndi veten më mirë për këtë nivel të ngritjes, megjithatë nuk jemi të kënaqur sepse situata nuk është e kënaqshme. Ne e dimë e kemi kusht luftimin e korrupsionit. Ky liberalizim nuk do të merret nëse ne nuk punojmë shumë dhe ky vit pritet të jetë sfidues”, shtoi tutje Havolli./Indeksonline/