10:54 / E Shtunë, 01 Tetor 2022 / Gj. Sh

Drejtori i PSG-së: Gabuam me blerjet e Neymar e Mbappes

PSG e ka filluar shumë mirë sezonin 2022/2023. Në fillim triumfi në Superkupën e Francës, më pas shtatë fitore dhe një barazim në Ligue 1, dhe dy suksese në dy sfidat e para në Champions League, që mbetet objektivi i madh i skuadrës kryeqytetase.

Emërimi i Galtier në stol po tregon se drejtuesit kanë marrë një vendim të zgjuar dhe të saktë, pasi PSG i këtij sezoni ka harmoni, është solid, ndërkohë që treshja e sulmit Mbappe-Messi-Neymar po kalon një formë fantastike.

Gjithsesi, deklarata e fundit e drejtorit sportiv të kampionëve të Francës, ka befasuar tifozët. Në një prononcim për RMC Sport, Luis Campos i është rikthyer verës së vitit 2017 kur PSG zhvilloi një merkato përrallore duke firmosur me dyshen Mbappe-Neymar.

Kemi gabuar në të shkuarën duke rekrutuar dy lojtarë në të njëjtin pozicion. Merkato në hyrje nuk ka qenë e mirë, sepse na mungojnë lojtarë në disa pozicione kyçe, ndërkohë që kemi me tepri lojtarë në pozicione të tjera”, deklaroi 58-vjeçari portugez.