22:02 / E Martë, 18 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Drejtori i ri i Interit ia zbulon të vërteten gruas së Icardit

Përplasjet e dy ditëve të fundit te skuadra e Inter mes drejtorit sportiv Piero Ausilio dhe Wanda Nara, menaxheres së futbollistit Mauro Icardi, kapitenit të ekipit zikaltër, nuk i kanë pëlqyer aspak Beppe Marotta, i emëruar ditët e fundit Administrator i deleguar i klubit interist.

Wanda Nara tha se Interi e kishte shitur Icardin tek Juvja, por Ausilio mohoi gjithçka. Ndaj Marotta është përpjekur të vendosë paqen dhe të qetësojë gjakrat mes palëve, pas këtyre deklaratave që kanë shqetësuar jo pak ambientin interist.

“Unë konfirmoj se se Inter dhe Juve nuk janë ulur kurrë në një tavolinë për të diskutuar për Icardin”, tha Marotta, që më tej shtoi: “Është normale që një drejtues të bëjë sondazhe të ndryshme, me apo pa dijeninë e lojtarit. Icardi është një futbollist i madh, por nuk është konkretizuar kurrë mundësia e transferimit të tij nga Interi të Juventusi”.

“Tani është koha që të qetësohemi pak dhe të mos tensionojmë situatën para Krishtlindjeve. Pak qetësi në deklaratat tona do të na bënte mirë të gjithëve. Kemi shumë kontrata për të parë në detaje nga afër dhe në janar do të diskutojmë për gjithçka dhe me të gjithë. Rinovimi i Icardit? Ne i kemi parashtruar një ofertë, por sulmuesi nuk ka qenë dakord. Ne do të ulemi e bisedojmë, por në mënyrën e duhur dhe vendin e duhur, pa bërë shumë zhurmë”, tha Marotta.