13:30 / E Enjte, 28 Janar 2021 / k.v

Dreshaj: Haradinaj po punon me BE-në dhe ShBA-në për sigurimin e vaksinës anti-Covid

Kandidati i AAK-së për deputet Shemsedin Dreshaj, ka thënë se kreu i kësaj partie është duke punuar me BE-në dhe SHBA-në për të siguruar vaksinën antiCovid.

Dreshaj në një konferencë shtypi shtoi se është bërë shumë vonë dhe institucionet ende nuk e kanë siguruar vaksinën.

“Të gjitha vendet e kanë siguruar vaksinën, ndërsa te ne ende nuk kemi një datë të saktë dhe të konfirmuar një firmë të saktë me të cilën është bërë kontakti”.

“Jemi vonë, ne si AAK e kemi në program që të sigurohet vaksina nga BE-ja dhe SHBA-ja dhe me Ramushin president, i cili është i besueshëm për BE-në dhe SHBA-në do të përdorim influencën e t’ij që sa më shpejt ta sjellim dhe qëllimi ynë është që të vaksinojmë numrin e mjaftueshëm të pacientëve apo të personelit, duke aluduar në siguroimin e 1 milion dozave”.

Ai ka folur edhe sa i përket ankesës që kanë bërë në Gjykatën Supreme rreth vendimit të PZAP-së për moscertifikim, si i dënuar në tre vjetët e fundit.

Dreshaj për shkak të një aksidenti rrezikon të moskandidojë për deputet, por që sipas tij, ai nuk ishte shkaktar i këtij aksidenti.

“Ende nuk kemi një vendim të prerë deri sot. Ne kemi ligjet tona që nuk janë shumë logjike, por ne do t’i respektojmë ato. Lënda ime është në Gjykatën Supreme dhe shpresoj që të jetë në favor timin, pasi ka qenë një aksident rrugor zinxhiror”.