10:48 / E Premte, 17 Prill 2020 / indeksADMonline

Duam qeveri të pastër dhe të përgjegjshme

Shkruan: Valdrin KRASNIQI

Kosova po bëhet gati që brenda pak kohësh të ketë Qeverinë e re. Qeveria Kurti është në dorëheqje pas mocionit të mosbesimit të ngritur nga partneri i saj qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

LDK tashmë ka zyrtarizuar vullnetin e saj për të krijuar një Qeveri në partneritet me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, NISMA’n Socialdemokrate dhe minoritet.

Kjo parti po pret në radhë për tu mandatuar nga presidenti, pasi që aktualisht emri për kryeministër, sipas Kushtetutës i është kërkuar sërish Albin Kurtit të VV-së, si partia e parë e dalë në zgjedhjet e fundit nacionale.

Neve si qytetarë dhe vend i prapambetur, më shumë se kurrë me parë, na duhet një qeveri e përgjegjshme, stabile, e pa korruptuar dhe e pranuar nga Brukseli e ShBA-të.

Përveç VV-së që pati mundësinë për herë të parë të Qeverisë me vendin ani pse për një periudhë rekord të shkurtër, rreth dy muaj, të gjitha partitë tjera politike në vend kanë udhëhequr me institucionet, në periudha të ndryshme që nga pas lufta.

Me gjithë “instalacionet” e ndryshme politike që kanë drejtuar Qeverinë për këtë periudhë dy dekadash, papunësia, zhvillimi ekonomik, shëndetësia dhe çështje të tjera të rëndësishme socio-ekonomike mbesin ende sfidë dhe problematikë për qytetarët e vendit.

Të rinjtë ende janë në kërkim të një vendi pune stabil, qytetarët ende detyrohen të blejnë barna esenciale dhe të kërkojnë shërimin jashtë QKUK-së, varfëria mbetet shqetësim për qytetarët, pozita e gruas në shoqëri dhe vendimmarrje vazhdon të mbetet sfidë, grupet e margjinalizuara nuk gëzojnë trajtim të barabartë shoqëror.

Veçmas problemeve socio-ekonomike, Kosova ndodhet edhe përballë temave të rëndësishme të karakterit nacional, tentativës për të përmbyllur dialogun Kosovë Serbi, rrugëtimit për anëtarësim në BE dhe strukturat euro-atlantike.

Qytetarët kanë nisur të humbin durimin dhe besimin. Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë ata më shumë se kurrë më parë kanë ndëshkuar me votë politikanët e korruptuar dhe të papërgjegjshëm, politikat që nuk kanë realizuar premtimet.

Që qytetarët të gëzojnë një Qeveri e cila u qëndron pranë halleve të tyre, që fokusohet në problematikat kryesore socio-ekonomike, duke siguruar zgjidhje për to, Kosova ka nevojë si kurrë më parë që të udhëhiqet nga politikanë të pa korruptuar, të cilët interesin personal nuk e vënë asnjëherë para interesit qytetar. Ne nuk duhet të lejojmë të na udhëheqin politikanë të përfolur për afera korruptive, e madje të dënuar për afera korruptive.

Nuk mund të presim asnjëherë që shpresa e qytetarëve të kthehet përderisa në krye të institucioneve nuk kemi udhëheqës që ndershëm, që kanë dijen dhe guximin të zhbllokojnë “lëmshin” e problemeve qytetare.

Është përfundimisht koha që Qeveria të ketë në ballë emra të “pastër” ngaqë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që duket të mos jenë edhe aq larg, qytetarët sërish do të kenë në duar të vendosin të ardhmen e tyre dhe të ndëshkojnë politikanët e papërgjegjshëm.

(Autori është redaktor përgjegjës në IndeksOnline)