23:50 / E Premte, 30 Tetor 2020 / Blerim

Duka i dërgon mesazh presidentit të Federatës turke për tërmetin, në Turqi

Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, ka reaguar pas tërmetit tragjik, që goditi të premten Turqinë.

Kreu i futbollit shqiptar i ka dërguar një mesazh presidentit të Federatës turke, Nihat Ozdemirku shpreh solidaritetin e tij me popullin turk në këto momente të vështira, shkruan IndeksOnline

“Në emrin tim personal dhe në emër të gjithë familjes së Federatës Shqiptare të Futbollit, shpreh keqardhjen time më të thellë dhe të sinqertë për vuajtjet tragjike që po kalon populli dhe vendi juaj në këto çaste. Fatkeqësisht, ne të gjithë jetojmë në një rajon të goditur vazhdimisht nga katastrofa të tilla natyrore dhe ndajmë me ju të njëjtin hidhërim për secilin që preket nga një ngjarje kaq tragjike. Shfrytëzoj rastin t’ju siguroj se ne gjendemi pranë jush dhe jemi në dispozicion të plotë për çdo ndihmë që mund t’ju duhet në këto kohë kaq të vështira. Ne të gjithë lutemi dhe urojmë që ta kaloni këtë moment sa më parë dhe të ktheheni në normalitet”, – shkruan ndër të tjera Presidenti Duka në letrën drejtuar homologut të tij turk, Nihat Özdemir.

Kujtojmë se deri me tani në Turqi kanë humbur jetën 17 persona, ndërkaq qindra të tjerë janë të lënduar si pasojë e shembjes së shtëpive e banesave.