16:04 / E Hënë, 07 Maj 2018 / indeksADMonline

Duke pasur në mendje Nexhmije Pagarushën, dizajneri kosovar krijoi koleksion fustanesh (Video)

Nexhmije Pagarusha në ditëlindjen e saj të 85-të ka marrë një dhuratë më ndryshe se viteve të tjera. Ajo madje është bërë inspirim i një artisti që të krijojë diçka unike pikërisht në këtë përvjetor të saj.

Është dizajneri nga Peja, Etnik Shala ai që ka vendosur përmes kreativitetit të tij t’ia bëj një dhuratë Bilbilit të Këngës Shqipe në mënyrë më unike.

Etniku ka krijuar koleksionin e tij ‘Muzë’, fustane këto të krijuara pikërisht duke pasur në mendje Nexhmije Pagarushën. Këto fustane ai i ka promovuar edhe përmes një videoje, ku kolonë zanore ka përdorur kryeveprën e këngëtares ‘Bareshën’, shkruan Indeksonline.

Dizajneri për Indeksonline ka treguar rreth kësaj ideje, teksa ka treguar që ky projekt është mirëpritur jashtëzakonisht shumë mirë nga këngëtarja.

“Në fakt si ide ka kohë që e kam në mendje, por pasi që Ikona e Muzikës dhe Artit Shqiptar sot më 7 maj feston 85 vjetorin e lindjes, vendosëm që në këtë mënyrë me ia uru të paktën unë si dizajner prej mënyrës sime, prej artit tim, me ia kushtu me titullin ‘Muzë’ ose ‘Muze’ së në të dyja e gjej ikonike figurën e saj. Kemi bisedu për projektin se fjalët në tekst janë ekskluzivisht për videon nga zonja Nexhmije. Ajo u ndi shumë e lumtur dhe e befasuar, se jo gjithmonë i kanë dhuru respect të mjaftueshëm pa e përdorur prezencën e saj”, tregon ai.

Sipas tij e veçanta e këtij projekti është se ky koleksion ndërlidhet me objektin e Obiliqit.

“Ndërlidhja me objektin e Obiliqit përshkruhet si një mekanizëm pa shpirt, që jep dritë e jetë. Në fakt objekt masiv dhe i lashtë, një mënyrë muze i prodhimit masiv dhe ndërmarrje bazë për jetën. Veshjet si bazë janë të inspiruara në lule, në periudhën kur Nexhmija ishte në periudhën e asaj fryme që shihen në veshje normalisht duke u modernizuar me detalet akturale të trendeve botërore”.

Teksa flet për këtë koleksion që vjen me ngjyra të perëndimit të diellit, Etniku tregon edhe motivin kryesor të kësaj videoje, shkruan Indeksonline.

“Muzè ose muze me ngjyrat e tokës dhe perëndimit të diellit. Në mekanizmin pa shpirt që jep dritë e jetë, masive dhe e lashtë. Ndjenjë, Frymë, Dashni, Peng. Historia sot është vlerë per nesër, me gjithë ironinë që koha ndonjëherë sjellë njerëz para kohe ne muzeun perjetësisë. Çka t’kujton ty “Baresha”? Një emër, një muzè. Nexhimje Pagarusha. Ajo po jeton në kohen time, sot në ditëlindjen e 85-të e gjeta gjallë.Nga copa pluhuri deri në përjetësi, ujitun me pasion e dashni, si gjeneza e njeriut së bashku me shpirtin. Premtimi i jetës me gjithçka në mes deri në ringjallje”.

Ndryshe muzikën e kësaj videoje e ka përpunuar Gent Gorani./Indeksonline/