20:31 / E Mërkurë, 01 Mars 2023 / Gj. Sh

Dy ditë pas dakordimit, Vuçiqi tinëzar shkel në “mina”!

Spanjolli Josep Borrell, nervoz – murmuriti: Zajednica, non paseran! Marrëveshjet ndërkombëtare zbatohen “ad litteram”. Sipas Planit 11 pikësh, nenit 7, Serbia de facto njeh pavarësinë e Kosovës.

Nga Agim Muhaxheri

Dy ditë pas dakordimit me marrëveshjen sipas Planit europian, Aleksandar Vuçiq shkel propozimin e BE-së, nenin 4, që ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Kjo për të del të jetë “cikërrimë” e që s’është cikërrimë. Albin Kurti e Aca (Vuçiqi) i Serbisë u dakorduan në Bruksel për marrëveshjen dypalëshe sipas Planit franko – gjerman, më 27 shkurt 2023.

Ndërmjetësi, zyrtari i lartë i BE-së, spanjolli Josep Borrell në siklet murmuriti: Zajednica, non paseran (nuk kalon). Rundi i dytë i dialogut për Planin 11 pikësh vazhdon në Shkup, më 18 mars. Aca (Vuçiqi), ish-ministri i Sllobodan Millosheviqit e luan lojën e vet.

Më 27 shkurt i zbuti llafet. Kosovës nuk i dha prapashtesën “Metohi”. Të vetët, pijanecët e Shumadisë do t’i thoshin: Znam te pushko kad si pishtol billa! Plani franko – gjerman përmban preambulën dhe 11 nene.

Ky dokument juridik nuk e njeh Asociacionin e komunave me shumicë serbe – Zajednicën… Në nenin 7 thuhet: Të dy palët angazhohen… për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë… Pra si termin juridiko – teknik përdoret fjala vetëmenaxhim, jo asociacion. Sipas paragrafit 2 të nenit 1, Serbia de facto njeh pavarësinë e Kosovës.

Për këtë flet togfjalëshi: Të dyja palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore. Traktatet, marrëveshjet ndërkombëtare – bilaterale zbatohen “ad litteram” (fjalë për fjalë), jo siç i teket dikujt.

Albin Kurti si “kirurg” i procesit për ‘normalizimin e marrëdhënive” me Serbinë, përballë presionit të europianëve dhe amerikanëve, arriti t’i bie skalper ‘zajednicës” të qëndisur më 2013 e 2015 nga paraardhësit e tij Hashim Thaçi e Isa Mustafa. Nuk lejoi që zajednica, ky monstrum, të çohet lugat… Albini i mbylli sytë te neni 7 që ka të bëjë me zyrtarizimin e statusit të Kishes Ortodokse Serbe në Kosovë. Kësaj kishe i jepet atributi i ‘ambasadës’, eksterritorialitetit, që bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Këtë “raketë” popat serbë e hodhën në Mal të Zi për çka malazeztë ia shkundën pendlat ish-kryeministrit Dritan Abazoviqit. Rivalët e Albinit dhe anal-istët me hu në krah do t’i thonë: Vetëmenaxhimi… dhe asociacioni një m*** janë.

Nga dy të këqijat, vetëmenaxhimi është e keqja më e vogël. I forti, ai që ta ka bërë shtetin – Amerika ta imponon lojën. Dhe ti thuaj JO Amerikës! Këta të Lun mirit dhe Memli reperit i gjuhen Albinit se po e shet Kosovën… Kësaj radhe Ramush Haradinaj i AAK-së i duartroket Albinit!

Pse? E di ai. Nakadrat e politikës dhe papagajtë përsërisin vjershën e tyre: Jo, po ky (Albini) ka gjue gaz lotsjellës në Kuvend! Përse ka gjue, a e dinë tipat? Deklaratat e tyre patetike janë të gërditshme, karikaturë e kohës. Vendet demokratike folklorin patriotik, pa shije e arsye, e kanë dërgue në muze, anal-istët merren me të.

Albin Kurti nuk ta jep mbretëreshën për kali!