21:00 / E Enjte, 26 Prill 2018 / indeksADMonline

Dy jetimët kosovarë në hall, thonë se shtetasi nga Serbia do t’ua rrënojë shtëpinë

Shtëpia e cila u ndërtua dy vite më parë për dy jetimë nga Podujeva, në rrugën “Bedri Bajrami” afër ”hekurudhës’ rrezikon të shembet nga pronari i tokës.

Pas vdekjes së dy prindërve, kujdesin për fëmijët e kishte marrë halla e tyre Naime Shala, në shtëpinë e cila ishte me kushte të vështira jetese. Mirëpo, falë donatorëve kësaj familje iu ndërtua shtëpia në po të njëjtin vend edhe pse prona në të cilën është ndërtuar është e një shtetasi serb.

Ndërsa, tani pronari i tokës i ka kërkuar kësaj familje t’ia lirojnë pronën e tij. Naime Shala, halla e fëmijëve ka thënë për Llapi.info se të dy jetimët mund të mbesin në rrugë. Sipas saj, afati i fundit për këtë familje është deri më 1 maj të këtij viti.

“Unë jam Naime Shala, kam ardhur prej lagjes së ‘Kuvajtit’. Kam ardhur për dy jetimë me i mbajt, jena kanë në shpi të shkaut, prej shpisë së shkuat na e kanë maru shpinë donatorët. Tash po vijnë shkiet edhe po thonë kena me jav prish. Jena kanë në komunë dy tri here, kanë thanë nuk kemi mundësi me ju ndihmue. Para 1 maji kanë thanë vijm edhe kena me jav prish shtëpinë me bager nëse si keni paret me i dhanë. Nuk e di veç shumë keq jemi, se mbesim në rrugë” ka thënë Shala.

Kurse, në një përgjigje për portalin “Llapi” nga Komuna e Podujevës, thuhet se projekti i ndërtimit të shtëpisë është bërë pa dijeninë e organeve komunale.

“Dy fëmijët (Agnesa dhe Agon Shala), pas vdekjes së prindërve të tyre, janë marrë nën përkujdesje nga halla (motra e babait së tyre) Naime Bllaca dhe bashkëshorti i saj, Abedin Bllaca. Ata fëmijë marrin asistencë sociale dhe ndihma të tjera të herë pas hershme nga Komuna, sikurse edhe familje të tjera në nevojë. Ata marrin edhe shtesën për kujdestari.
Ndërsa, sa i përket ndërtimit të shtëpisë nga donatori, tërë procesi rreth realizimit të këtij projekti është kryer nga kujdestarët e fëmijëve në bashkëpunim me donatorin, por pa dijeninë e organeve komunale të Podujevës” ka thënë Nazmi Elezi shef i Zyrës për Informim në komunën e Podujevës.

Tutje Elezi shtoi “Komuna nuk merr përgjegjësi nëse objekti është ndërtuar në pronën e huaj, sepse për ndërtimin e të gjitha objekteve të kësaj natyre, paraprakisht përfituesi dhe donatori pajisen me dokumentin që dëshmon pronësinë-fletëposedimin, lidhur me parcelën ku ndërtohet objekti, kurse një gjë e tillë nuk ka ndodhur në këtë rast”.

Kujtojmë, Agnesa Shala, 14-vjeçare dhe Agon Shala, 9-vjeçar nga Podujeva, tash e tri vite kanë mbetur pa të dy prindërit./