13:10 / E Martë, 17 Nëntor 2020 / Blerim

Dy pacientë brenda një dite vdesin nga Covid-i në Spitalin e Gjilanit

Ka më shumë se nëntë muaj prej kur qytetarët e vendit tonë po ballafaqohen me pandeminë COVID-19.

Ditëve të fundit janë rritur edhe rastet me të infektuar, po ashtu edhe numri i viktimave.

Betejën me virusin COVID-19 e kanë humbur edhe dy pacientë, të cilët po trajtoheshin në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.

Këtë e ka konfirmuar për IndeksOnline, drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm, dr. Ukshin Ismaili.

 “Fatkeqësisht, në orët e mbrëmjes betejën me COVID-19 e ka humbur  një qytetare e Gjilanit, ndërkaq në orët e mesnatës ka ndërruar jetë edhe një pacient nga Komuna e Bujanocit, i lindur më 1956. Familjeve të tyre, në emrin tim dhe në emër të Spitalit të Përgjithshëm, ua shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, ka thënë Ismajli .

Ai ka shtuar se gjendja në këtë spital është e rëndë, derisa kanë fluks të madh të pacientëve.

“Gjendja s’është aspak e mirë. Kemi bërë njësi shtesë. Po provojmë ta menaxhojmë situatën me mundësitë që kemi”, ka shtuar Ismajli.

Kujtojmë se numri i të vdekurve në Kosovë si pasojë e pandemisë COVID-19, ka shkuar mbi 800./Indeksonline