18:21 / E Shtunë, 30 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Dyqanet bllokohen nga blerësit, interesim i madh për fundvit (Video/Foto)

Në fund të vitit, si në çdo vend të botës, edhe në Kosovë njerëzit i kushtojnë rëndësi të veçantë festave.

Madje ata harxhojnë më shumë se që duhet duke blerë fishekzjarrë, ushqim, pijë e rroba, shkruan Indeksonline.

Pavarësisht ankesave se në Kosovë nuk ka jetë të mirë, ka papunësi të madhe dhe paga të ulta, ditët e fundit të dhjetorit nuk po thonë kështu.

Sot në natën e parafundit të 2017-tës, dyqanet në kryeqytet janë stërmbushur me blerës.

Ato janë bllokuar me numër të madh njerëzish, të cilët po blejnë gjëra për fundvit.

Kujtojmë se sipas një hulumtimi të kompanisë së hulumtimeve dhe konsulencës biznesore “UBO Consulting”, qytetarët e Kosovës shpenzojnë rreth 36 milionë euro në fund të vitit.

Në Kosovë festat e fundvitit i kremtojnë 82% e familjeve kosovare, secila nga to shpenzon mesatarisht nga 141.64 €.

Në total sipas UBO Consulting, në Kosovë shpenzohen saktë 35,971,841,7 €, shumë kjo tejet e lartë për standardin e jetës në Kosovë dhe nivelit të lartë të papunësisë.

Nga këto miliona euro, 71% shpenzohen për ushqim e pije, 12% për dekorime, 11% për dhurata dhe 6% për gjëra tjera. /Indeksonline/