22:53 / E Mërkurë, 19 Shkurt 2020

E diela ende s’është ditë pushimi për punëtorët privat në Gjilan, nga komuna thonë se duhet kohë për këtë vendim

Punëtorët e bizneseve private vazhdojnë të punojnë edhe të dielave në Gjilan.

E gjithë kjo pasi komuna e Gjilanit ende nuk ka arritur që të marrë vendim për të ndryshuar këtë rregullore.

Nga Komuna e Gjilanit është thënë se kanë ndërmarrë një varg iniciativash me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet komunës, bizneseve dhe punëkërkuesve dhe në funksion të përmirësimit të klimës të bërit biznes dhe krijimit të politikave në gjenerimin e vendeve të reja të punës si dhe joshjen e investitorëve për të investuar në komunën e Gjilanit.

Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, Valbona Tahiri tha për Indeksonline se është paraparë që t’i jepet kohë marrjes së një vendimi që e diela të jetë pushim për punëtorë te bizneseve të shumta.

“Drejtoria për Zhvillim Ekonomik pas dy dëgjimeve publike te organizuara vitin e kaluar dhe pasi kemi pranuar edhe kërkesat nga përfaqësuesit e bizneseve të cilët e kundërshtojnë Rregulloren për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës së subjekteve afariste në territorin e komunës se Gjilanit nr.01.16-59035, të datës 27.06.2013 e cila është ende në fuqi, e kemi parë te arsyeshme që t’i jepet kohë marrjes së një vendimi, i cili duhet të jetë i balansuar dhe në harmoni me dispozitat në fuqi”, tha Tahiri.

Madje ajo theksoi se bizneset e kanë kundërshtuar rregulloren duke vlerësuar se do të ketë vetëm efekte negative.

“Kërkohet të zbatohet ligji i punës për punëtorët i cili definon qartë se puna gjatë një jave duhet të jetë 40 orë të rregullta dhe orari i tyre të përgatitet ndërmjet bizneseve dhe punëtorëve.

Duke ditur faktin se zhvillimi i sektorit privat është një nga komponentët esenciale për zhvillimin e gjithmbarshëm socio-ekonomik, i është propozuar Kuvendit që të marrin vendime të balancuara  të cilat promovojnë interesat e të dyja palëve, dhe siguron kushte më të mira për punëtorët në sektorin privat pa i dëmtuar bizneset”, tha Drejtoresha Tahiri.

Duhet përkujtuar që shumë komuna tashmë kanë marrë vendim që e diela të jetë ditë pushimi edhe për punëtorët e sektorit privat, por një gjë e tillë nuk po bëhet në këtë komunë.

Madje duhet theksuar se shumë prej asamblistëve të cilët patën kundërshtuar marrjen e këtij vendimi, janë edhe biznesmenë në këtë qytet.

Deputetja e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi ditë më parë pati reaguar lidhur me këtë çështje, ku tha se e diela duhet të bëhet ditë pushimi në Gjilan.

Deputetja gjilanase tha se edhe në qytetin e Gjilanit, punëtorët meritojnë të kenë të dielën ditë pushimi./Indeksonline/

Mos i humb