12:11 / E Martë, 02 Qershor 2020

E konfirmon kryetari i Bordit të KPMM-së – shembet dheu në minierën e Novobërdës, ngujohen disa minatorë

Kryetari i Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Musa Shabani, ka bërë të ditur se në minierën e Novobërdës ka ndodhur një avari, me ç’rast disa punëtorë janë ngujuar.

Shabani, njoftoi se nuk ka informacione nëse ka të lënduar, po thotë se ka pasur dëme të mëdha.“Dëshiroj të jap një lajm jo të mirë para së të fillojmë, u njoftuam prej Departamentit të minierave se ka ndodhur një avari në minierën e Artanës”.

“Të gjitha njësitë që janë aty zakonisht 20 punëtorë, por në kate nga dy punëtorë. Nuk e dimë se a ka pasoja në njerëz. Por gjendja sipas informacioneve ka pasur dëme të mëdha”, tha ai.

Shabani këto komente i bëri gjatë mbledhjes së Komisionit për ekonomi, punësim, tregti, industri, ndërmarrësi dhe investime strategjike, ku kishte ardhur të raportonte për punën e vitit 2019.Por raportimi është shtyrë për të martën.

Kryetari i komisionit, Endrit Shala, kërkoi nga anëtarët e komisionit që të mirëkuptojnë rastin e ta shtyjnë mbledhjen.

“Shkaku i rastit me pajtim të deputetëve të komisionit ta shtyjmë për një mbledhje tjetër shqyrtimin e raportit”, tha Shala. Gjithashtu me katër vota për, 3 abstenime dhe 1 kundër u miratua raporti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2019.

Mos i humb