11:06 / E Enjte, 09 Shkurt 2023 / L K

“E pranoi planin e BE-së me biftek përpara”, Krasniqi – Kurtit: Mos e luaj rolin e shpëtimtarit apo tradhtarit

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka quajtur të papërgjegjshëm kryeministrin Albin Kurti rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe që nuk po e shkarkon ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ai tha Berishaj ka fituar miliona euro dhe është shok i Kurtit, teksa pavarësisht skandaleve financiare, vazhdon ta përfaqësojë Kosovën në Kroaci.

Ndërkohë, ai shtoi se Kurti nuk ka nevojë të fshihet e as të mashtrojë rreth negociatave me Serbinë.

“E vetmja gjë që nuk është as fisnike as pragmatike është mungesa e guximit për ta ushtruar përgjegjësinë që të takon kur e mashtron vetveten se do të ia arrish qëllimit me sukses, përderisa vepron sipas rrethanave”, tha ai gjatë seancës së Kuvendit.

“Kjo është rruga që po e ndjek kryeministri Albin Kurti. Dua të ia bëj të qartë Kurtit rreth dialogut nuk ka nevojë as të fshihet as të mashtrojë as të luajë rolin e shpëtimtarit dhe tradhtarit”, shtoi ligjvënësi opozitar.

“Për PDK-në, ai mjafton ta ushtrojë përgjegjësinë konkrete dhe kushtetuese që e ka si kryeministër. Të dialogojë dhe të arrijë marrëveshjen që e respekton identitetin dhe sovranitetin kushtetues të Kosovës. Dhe krejt këtë ta bëjë në mënyrë transparente. Nuk ka nevojë të na njoftojë se e ka pranuar në një restorant e me biftek përpara. Ne si PDK, as s’kemi penguar as linçuar e as s’kemi hedhur gaz lotsjellës e koktej molotovi”.