15:35 / E Mërkurë, 01 Shkurt 2023 / B O

E tërë bota futbollistike po flet për trajnerin e Arbër Zenelit, më i riu në Evropë dhe 12 ndeshje pa humbje

Kur skuadra e Reims vendosi të shkarkoj Oscar Garcia nga posti i trajnerit, ata u detyruan që për një ndeshje të lënë në këtë pozitë asistentin e tij, William Still.

Por që nga ndeshja e parë, 30 vjeçari e udhëhoqi me stil skuadrën franceze dhe bëri që drejtuesit të heqin dorë nga gjetja e një trajneri tjetër.

Janë bërë plot 12 ndeshje me radhë që Still me Reims nuk di për humbje. Madje në ndeshjen e fundit arritën të ndalin në barazim edhe PSG-në.

Reims paguan 25 mijë euro për secilën ndeshje të tij në pankinë ngase i mungon licensa, por skuadra s’e ka problem anën financiare ngase nuk po mungojnë rezultatet. Still asnjëherë nuk kishte qenë futbollist profesionist, por kishte zgjedhur që të jetë analist dhe asistent në disa skuadra, shkruan Indeksonline.

“E kuptova që nuk do të kisha sukses si lojtar dhe vendosa të filloj karrierën time si trajner. Për vite me radhë kam luajtur lojën si menaxher futbolli dhe ajo lojë më ka ndihmuar që të zhvillohem në profesion. U fiksova pas ‘Menaxherit të Futbollit’ dhe më ndezi pasionin për stërvitjen” ka thënë Still.

Në vitin 2021, në moshën 28-vjeçare, ai u bë trajneri më i ri në Kategorinë e Parë të Belgjikës dhe tani, në moshën 30-vjeçare, ai është trajneri më i ri në pesë ligat kryesore evropiane.

“Nëse dikush do të më kishte thënë se do të bëhesha trajner i një ekipi të Ligue 1 në moshën 30-vjeçare, do t’i kisha thënë të më godiste me grusht në fytyrë. Do të kishte qenë një sugjerim krejtësisht absurd,” thotë ai.

Gjashtë fitore dhe gjashtë barazime në 12 ndeshje – një sukses i paprecedentë në historinë e klubit të Reims duke e ngjitur skuadrën në pozitën e 11-të.”Mund të mos kemi lojtarët më të mirë, por mund të krijojmë diçka të veçantë së bashku” ka thënë Still për suksesin e tij./Indeksonline/