Edhe Haradinaj i shtynë pritjet për liberalizim të vizave
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për kushtet që është duke i plotësuar Kosova për çështjen e liberalizmit të vizave. Ai ka thënë se janë duke punuar që kosovarët mos të presin gjatë për liberalizim. Haradinaj është shprehur i bindur se në fund të vitit do të dihet qartë se kur hiqen vizat.
“Ne jemi duke punuar në këtë drejtim. Nuk do të shkojë edhe shumë kohë e gjatë për të pritur për këtë proces. Unë besoj se në fund të këtij viti do ta kuptojmë se kur do të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka treguar se nga dita që e ka marrë detyrën ka =identifikuar gjendjen bazike dhe ka bërë incizimin e gjendjes së ligjeve.
“Vitin që vjen jemi të interesuar që të nxjerrim më shumë prej MSA-së dhe të arrijmë në statusin e kandidatit. Tani prej ditës që kam marrë detyrën, ne kemi një identifikuar gjendjen bazike dhe incizimi i gjendjes së ligjeve, pra këto punë i kemi kryer në javën e parë të marrjes së mandatit”, ka thënë Haradinaj në KTV.
Shefi i qeverisë ka treguar po ashtu se edhe çështja e demarkacionit, që është njeri nder kushtet për liberalizim të vizave, do të përfundoj shumë shpejt.
Ai ka treguar edhe njëherë se mendimin për kufirin mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk e ka ndryshuar.
“Nëse duam të gjejmë të vërtetën nuk guxojmë të bëjmë hajgare. E di cila është e vërteta, ajo e vërtetë që beson Shpejtim Bulliqi, Zejnullah Gruda, Florim Isufi, dhe të gjithë ata, të gjithë ne në Kosovë që e dimë se ku është kufiri, unë e di që është në kullë të Zhlepit dhe në qafë të Çakorrit e në maja të larta por nuk është kjo vetëm të bëjmë improvizim. Për atë ekziston edhe komisioni”, ka thënë Haradinaj.