12:08 / E Mërkurë, 10 Gusht 2022 / C E

Edhe lojtarët tjerë të Manchesterit në hall me Ronaldon

Cristiano Ronaldo dëshiron të largohet nga Manchester United dhe po bën gjithçka që është e mundur për ta gjetur një klub të ri.

Ylli portugez mund ta marrë një përkrahje të papritur nga shokët e skuadrës.

Mediumi britanik “The Sun” raporton se një pjesë e mirë e dhomës së zhveshjes së “Djajve të Kuq” nuk dëshiron që telenovela “CR7” të vazhdojë.

Një histori që përshkohet me një fillim të dobët të sezonit dhe me një prishje të atmosferës në klub.

Lojtarët janë lodhur nga sjellja e ish-futbollistit të Sporting Lisbonës, Real Madridit dhe Juventusit, duke e quajtur atë si “fëmijëror”, ndërsa preferojnë që lojtari portugez të shitet sa më shpejt, sesa të qëndrojë dhe ta prish ambientin me “teket” e tij.

Një burim brenda klubit ka thënë: “Ai ka nisur t’ju shkojë në nerva shumë lojtarëve. Ronaldo i ka aleatët e tij, por shumë lojtarë janë të lodhur dhe të mërzitur me mënyrën se si po sillet ai”.

Ronaldo nuk dëshiron të qëndrojë në “Teatrin e Ëndrrave” pasi Manchester United nuk do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve këtë sezon.

Prandaj, pesë herë fituesi i Topit të Artë është në kërkim të një ekipi me të cilin do të mundë të luante në Champions.

Për të janë përmendur disa opsione, por deri tash nuk ka pasur asgjë konkrete.