15:51 / E Hënë, 16 Korrik 2018 / indeksADMonline

Edhe njëherë u kërkua nga ndërtuesit që të respektojnë kushtet e ndërtimit

Nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve në të cilën janë diskutuar dhe shqyrtuar disa pika të rendit të ditës me rëndësi për qytetarët.

Edhe në këtë takim të Bordit,  drejtori i Drejtorisë për Financa, Shukri Gashi, kërkoi nga drejtorët e drejtorive komunale që të dorëzojnë në drejtorinë që ai e drejton sa më parë listën e borxhlinjve të Komunës.

Për problemin e shitësve të pjeprave u diskutua edhe në këtë mbledhje, pasi që shitësit nuk e kanë përfillur vendimin e Komunës për tu larguar nga trotuari në rrugën “Vëllezërit Dragaj dhe për tu vendosur në hapësirën që Komuna ua ka sigurua afër Xhamisë së Zallit.

Drejtori Gashi bëri të ditur se ka ngecje në mbledhjen e  tatimit në pronë në Komunë dhe se duhet një strategji  e re për shtimin e efikasiteti në mbledhjen e borxheve.

Drejtori i Inspekcionit, Hysni Ahmeti edhe në këtë mbledhje para ekzekutivit kërkoi që të bëhet një zgjidhje për shirësit e pjeprave  në rrugën ”Vëllezërit Dragaj”,  në mënyrë që nga shitësit ambulantë të mos dëmtohet imazhi i qytetit por që të jetë një treg i rregulluar mirë,  ku ata mund ti ekspozojnë prodhimet e tyre.

Po ashtu, drejtori Ahmeti foli edhe për rrezikun që po u kanoset disa familjeve nga shembja e dheut në hapësirën e dedikuar për garazhe nëntokësore, afër ndërtesës së ish Jugobankës, duke kërkuar njëkohësisht që ndërtuesit të respektojnë kushtet e ndërtimit të ndërtesave shumëkatëshe. Ekzekutivi ishte i pajtimit që të merren masat e duhura në afërsi të këtij parkingu në mënyrë që  mos rrezikohet jeta e asnjë qytetari.

Ndërsa drejtoresha për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Nazan Kërveshi, njoftoi ekzekutivin lidhur me rastin e së dielës ku drejtoria e saj i mori të gjitha masat për t’iu dal në ndihmë banorëve të ndërtesës që u përfshi nga zjarri në rrugën e kristaleve në Stantërg. Ajo propozoi që një familjeje ti bëhet një zgjidhje për banim duke e zhvendosur në një objekt banimi në Shipol.

Propozimi i drejtoreshës Kërveshi u përkrah nga kryetari Bahtiri i cili tha se është i pajtimit që të ndihmohet ajo familje, duke e ditur gjendjen e qytetarëve të Mitrovicës që përballen vazhdimisht me gjendje të rëndë ekonomike.