20:32 / E Diele, 30 Shtator 2018 / indeksADMonline

Edhe pse vetë nuk arriti të votojë, Xhaferi e sheh si të suksesshëm votimin për Referendum

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi ka deklaruar se e sheh si të suksesshëm votimin e referendumit të sotëm në Maqedoni, duke shtuar se qytetarët vendosën themelet e Maqedonisë Evropiane.

Xhaferi me këtë rast ka përgëzuar institucionet dhe qytetarët, të cilët sipas tij kanë treguar se i përkasin familjes evropiane.

“Përgëzoj qytetarët për këtë ditë feste. Qytetarët treguan se i përkasin një kulturë të lartë dhe dëshmuan se i përkasin familjes së madhe evropiane. Përgëzoj edhe institucionet për organizimin e një procesi pa incidente serioze. Qytetarët vendosën themelet e Maqedonisë Evropiane”,ka thënë Xhaferi, transmeton Indeksonline.

Kryeparlamentari i Maqedonisë ka deklaruar se nuk arriti të votojë sot e sipas tij e gjithë kjo ndodhi për shkak të problemeve teknike në listat zgjedhore.

“E vërteta është se nuk kam votuar në vendvotimin e rëndomtë në Gostivar, dhe shfrytëzoj këtë mundësi të deklaroj sepse mundësia e lëshimeve të mundshme teknike në listën zgjedhore ka qenë shkas të mos e shfrytëzoj të drejtën time qytetare. Mendoj se pesha e votës është e barabartë me atë të qytetarëve. Ky është një lëshim teknik i institucioneve. Por kjo nuk e ndryshon çka është qëllimi i votës dhe procesit të votimit”, ka shtuar Talat Xhaferi.

Me votimin e sotëm Maqedonia bën të ditur rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO dhe BE apo ngecjen në këtë rrugë. E gjithë kjo do të kuptohet pas rezultateve përfundimtare të cilët pritet të bëhen më vonë./Indeksonline/