16:19 / E Shtunë, 20 Korrik 2019 / indeksADMonline

Edhe unë do jem atë ditë në Hagë për Ramushin, por jo për kryeministrin e Kosovës!

Nga Kreshnik Spahiu*

Unë kam vendosur të udhëtoj drejt Gjykatës së Hagës, për ta mbështetur për herë të tretë Ramush Haradinajn.

Dhjetra miq nga diaspora do më shoqërojnë në këtë rrugëtim. Kam qenë i vetmi politikan nga Tirana që kam udhëtuar dy herët e para kur është arrestuar nga gjykatat speciale, por jam dhe i vetmi politikan që nuk e takoja Ramush Hardinajn kur ai merrte karrigen e kryeministrit. Sërish do jem atje në dyert e gjykatës së Hagës, por jo më pas në dyert e Kryeministrisë së Prishtinës nëse ai ri-kthehet në detyrë.

Ramushi është historia e lavdishme e krijimit të shtetit të dytë shqiptar dhe për atë duhet mitizuar në piedestal por jo për aftësitë apo paaftësitë për të qeverisur shtetin e ri. Kosova është sërish e varfër, sërish e izuluar, sërish e braktisur, sërish e korruptuar, sërish e mashtruar, sërish e paintegruar. Kosova është thjesht e pavarur, dhe kjo është e vetmja pjesë që ne duhet krenohemi me Ramushin dhe Kosovën. Asgjë më shumë, por në këtë moment duhet jemi patriot dhe të mbështesim liderin e luftës çlirimtare të Shqipërisë Veriut dhe jo kryeministrin e Kosovës. Ka kohë më vonë për kritika.

Ramush Haradinaj nuk është vetëm… Ejani dhe bashkohuni kauzës rreth mikut tonë kuqezi, rreth shqiptarit të madh, rreth Gjergj Kastriotit të ri.

Unë do i bashkohem në Hagë, Ramushit dhe vëllezërve të tij trima. Miku duhet në ditë të vështira dhe jo kur i ka hipur kalit. Shqipërinë e dua se jam shqipëtar. Kosovën pak më shumë se jam kosovar!