18:13 / E Martë, 14 Prill 2020 / indeksADMonline

Edi Rama: Më vjen shumë keq, baret dhe restorantet do të hapen të fundit

Gjatë një interviste live me ndjekësit në Facebook, dikush i sugjeroi kryeministrit Rama që të lejonte hapjen e disa restoranteve, ku tavolinat janë larg nga njëra-tjetra dhe stafi i punonjësve është i vogël. Një gjë të tillë, kryeministri e cilësoi si të pamundur dhe sqaroi se baret, lokalet dhe restorantet janë të fundit që do të hapen.

Ai u shpreh se së shpejti do të bëhet publike edhe programi i hapjes graduale, që do të shpjegojë radhën kohore të rihapjes së aktiviteteve dhe bizneseve të ndryshme. Lokalet, baret dhe restorantet janë të fundit që do të hapen dhe kjo është një praktikë e ndjekur nga të gjitha shtetet ku po zbatohet vetë-izolimi.

“Restorantet do të jenë të fundit që do të hapen, kështu e ka kjo punë, më vjen shumë keq. Ne po përgatisim programin e hapjes graduale, që do të bëhet publik në ditët në vijim. Do të jetë një program i qartë dhe strikt për rregullat që do të ndjekin të gjithë ato biznese që do të hapen. Duke parë edhe vendet e tjera, asnjë vend nuk ka folur për hapje që fillon me restorantet dhe baret. Janë të fundit që do të hapen. Është e pamundur ndryshe.”