20:34 / E Martë, 16 Tetor 2018 / indeksADMonline

EKSKLUZIVE: Grupi i arrestuar në Trudë ka kryer grabitjen në Merdare dhe ka tentuar t’i vras policët

Mesditën e së premtes, katër persona të maskuar dhe të armatosur me kallashë, ishin futur në terminalin doganor në Merdare ku kishin tentuar të kryejnë grabitje në zyrën e Agjencionit Doganor dhe më pas në një filial banke.

Indeksonline kishte raportuar menjëherë për këtë grabitje duke publikuar edhe pamje ekskluzive të xhiruara nga kamerat e dëshmitarëve të rastit.

Pas kryerjes së grabitjes, të dyshuarit kishin ikur me veturë në drejtim të fshatit Dumnicë dhe gjatë ikjes kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësitit policor i cili ishte vënë në ndjekje të grupit të plaçkitësve.

Fatmirësisht asnjë nga zyrtarët policor nuk kishte pësuar lëndime trupore gjatë të shtënave.

Policia aksionin për shkatërrimin e grupit nuk e kishte ndërpre deri ditën e djeshme, ku i vuri në pranga pesë persona të dyshuar.

Të dyshuarve u janë bastisur shtëpitë ku u janë konfiskuar 13 automjete të ndryshme, dy motoçikleta, disa telefona celular, një pistoletë të cilat dyshohet se janë blerë me të holla të përfituara nga veprat penale.

Indeksonline ishte pjesë e aksionit policor të hënën në fshatin Trudë ku nga afër ka përcjell bastisjen e policisë në shtëpitë e të dyshuarve.

Grupi i grabitësve pas arrestimit është dërguar fillimisht në njërin nga Stacionet Policore në Prishtinë ndërsa pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të Shtetit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve./Indeksonline/