10:42 / E Enjte, 13 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Rrëfehet Safet Syla, i intervistuar nga Specialja

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Safet Syla është intervistuar dy ditët e fundit nga prokurorët e Specializuar pranë Gjykatës Speciale. Ai është marrë në pyetje dy ditë nga nëntë orë në zyrat e EULEX-it në Prishtinë, raporton Indeksonline.

I pyetur nga Indeksonline ai thotë se është ftuar në cilësinë e dëshmitarit për të gjitha detyrat dhe angazhimin e tij gjatë luftës. Ai thotë se edhe në vitin 2011 ishte intervistuar nga prokurori i EULEX-it Salustro, mirëpo tani më në detaje.

“Unë jam ftuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e dëshmitarit në fazën e parë fillestare të hetuesisë, më shumë mund të them se jam i ftuar. Jam intervistuar për të gjitha detyrat dhe angazhimin tim gjatë luftës. Isha i angazhuar kryesisht në Zonën Operative të Pashtrikut si dhe në Shtabin e Përgjithshëm, kam qenë zv/drejtor i Drejtorisë për Informimin e Shtabit. Të gjithë angazhimin tim personal dhe detyrat përgjatë shërbimit. Kam qenë i intervistuar edhe më parë, në 2011. Realisht tash ngjarja ka qenë pak më e ekzagjeruar, pra prej ditës së parë kur jam inkuadruar në radhë të UÇK-së, dhe gjithë rrugëtimin tim”, ka thënë Syla, raporton Indeksonline.

Ai thotë se është intervistuar në zyre të EULEX-it dhe se intervista ka zgjatur dy ditë nga nëntë orë, porse më nuk ka ftesë për tu paraqitur.

“Për momentin e kam përfunduar dhe tash presim vendimin e Gjykatës Speciale. Nuk kemi pas ftesë me shkrim, jam kontaktuar me telefon, kanë ardhur më kanë marrë në zyre, nuk na kanë treguar se a jam i dyshuar dhe thjeshtë më kanë ftuar në intervistim”, ka deklaruar ai.

Safet Syla, ish-pjesëtari Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është intervistuar 18 orë nga prokurorët e Specializuar

Ish pjesëtari i UÇK-së thotë ne jemi në pozitë shumë të palakmueshme sepse këtë ligj të Gjykatës Speciale e ka miratuar Kuvendi i Kosovës.

“Është ky ligj që ka qenë, është një Gjykatë e veçantë në histori të njerëzimit nuk mbahet mend sipas meje që në një shtet të marrin pjesë në një konflikt të formohet një Gjykatë Speciale e cila akuzon njërën palë. Kështu ndodhë vetëm tek ne dhe unë personalisht kam kërkuar prej tyre një shpjegim të tillë, realisht vetëm UÇK-ja në këtë rast dhe shtabi i tyre janë akuzuar pa të drejtë, sepse patën një luftë të pastër çlirimtare edhe sot duhet të hetohen, akuzohen apo të gjykohen për luftën që e kemi bërë”, ka thënë ai.

Ai beson në luftën e pastër çlirimtare por e pranon se do të jetë një sfidë për pjesëtarët e UÇK-së.

“Kam kërkuar prej tyre në rast se mund të gjejnë një herë një rast që shqiptarët kanë bërë luftë për okupimin e trojeve të tyre, ne kurrë në histori të njerëzimit s’kemi bërë asnjë luftë për okupimin e trojeve të tjera, gjithmonë kemi bërë luftë për mbrojtjen tonë, të familjeve tona dhe trojeve tona dhe kjo ka qenë lufta e fundit çlirimtare. Jemi këtu ku jemi, nuk di çfarë të them për besë, por besojë në drejtësi dhe luftën e pastër çlirimtare që kemi pas dhe kjo do të jetë një sfidë për neve. Nuk kam pas kohë të dëgjojë, këto dy ditë isha i angazhuar domethënë kam dëgjuar diçka që nuk i janë përgjigjur ftesës, megjithatë ne nuk kemi ku të shkojmë dhe nuk e shoh të arsyeshme për të mos u ballafaquar, kanë qenë ditët e lavdisë, ditët e luftës kur jam ballafaquar dhe nuk kam pasur frikë”, ka deklaruar ai.

Syla: Nuk kemi kutë shkojmë, do të bashkëpunojmë me Gjykatën Speciale

Ai nuk e di nëse është dëshmitari i parë që është intervistuar nga Specialja dhe thotë se nuk e njeh ish pjesëtarin e UÇK-së, Remzi Shalën i cili ka vendosur të mos i përgjigjet ftesës nga Gjykata Speciale.

“Unë kam qenë pjesëtarë i Zonës së Pashtrikut, në Shtabin e Përgjithshëm ku ka qenë në pjesën e vendosur kjo zonë dhe nuk njihem me Remzi Shalën”, ka thënë ai.

Syla në fund thotë se i është kërkuar nëse ka ndonjë dokumentacion apo diçka nga lufta t’ia dhuroi prokurorëve./Indeksonline/