12:37 / E Premte, 21 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Ekspertët skeptikë: Fotot nuk reduktojnë duhanpirjen

Vendosja e imazheve me përmbajtje të rëndë në paketat e cigareve, sipas ekspertëve në Shqipëri, ka ndikim të ulët në reduktimin e numrit të duhanpirësve. Ata shprehen se nga fotot, mund të ndikohen individët potencial, por jo duhanpirësit.

Vendimi i marrë nga Ministria e Shëndetësisë për të vendosur fotografi me përmbajtje të forta, ka ndikim të ulët në pakësimin e numrit të duhanpirësve.

Në një intervistë për Rtv Ora, eksperti Roland Shuperka, thotë se kjo nismë renditet ndër komponentët e fundit që redukton numrin e duhanpirësve.

“6 pikat që ndikojnë në uljen e konsumit të duhanit, fatkeqësisht kjo renditet e 6-ta. Megjithatë është një masë e domosdoshme dhe do them fjalët më të mira edhe pse me vonesë, që Ministria e Shëndetësisë bëri këtë punë”, ka shkruar ai.

Sociologia Entela Binjaku, shprehet se ndikim të rëndësishëm, nisma ka te jo duhanpirësit, ose te individët potencial.

“Ata që ndikohen më thjeshtë janë duhanpirësit pasiv, që d.m.th pjesa tjetër që nuk e pi. Ne kemi parë që në raste të ngjashme kur shohim figura të tilla të ilustruara, ajo ndjesia e neverisë krijohet tek duhan pirësit pasiv. Ndërsa duhan pirësit aktiv deri diku vijojnë me vesin e tyre”, ka thënë ai.

Ekspertët sugjerojnë që i gjithë sistemi mjekësor të angazhohet përmes fushatave ose lehtësirave në konsulta për personat që dëshirojnë të braktisin vesin e duhanpirës.