16:15 / E Diele, 29 Prill 2018 / indeksADMonline

Eksperti i zhytjes flet për fatin e dy policëve të zhdukur në lumin Lepenc

Njësitet policore, FSK-ja, zjarrëfikësit, shumë qytetarë po vazhdojnë edhe më tutje që të ndihmojnë në kërkimin e dy policëve të zhdukur mbrëmë në lumin Lepenc.

Zhytësi i njohur kosovarë, Ismail Kasumi ka folur për “Indeksonline” lidhur me këtë rast. Ai ka treguar se a i është bërë ftesë për t’iu ndihmuar njësiteve relevante në gjetjen e dy policëve kosovarë.

Kasumi ka thënë se dy policët mund t’i ketë bartur lumi për në Maqedoni. Sipas tij, të njëjtit kanë shumë pak gjasa që të jetojnë.

“Unë nuk jam njoftuar, janë zhytësit tjerë, është djali im që merret me këtë punë nëse ka nevojë le t’i thirrin ata, për momentin jam në Shqipëri në qytetin e Tiranës. Policët pasi kanë rënë në lum, uji ka mundur ti dërgojë në largësi më të largët , në qoftë se kanë rënë në ujë unë nuk besojë se ata mund të shpëtojnë, por ata me siguri janë në ujë diku. Ata kanë mundur të barten nga uji edhe në Maqedoni sepse është uji i rrëmbyeshëm aty”, ka thënë Kasumi.

Më tej, ai shtoi se nesër do të kthehet në Kosovë. Kurse në rast se i bëhet ftesa nga zyrtarët shtetërorë ai do të pranojë.

Ndryshe, për gjetjen e dy trupave të zyrtarëve policorë së fundi është angazhuar edhe KFOR-i që ka filluar aksionin për kërkimin e tyre.

“Indeksonline” po qëndron në vendin e ngjarjes dhe gjatë gjithë kohës po raporton për rastin në fjalë.

Policët e zhdukur janë, Malsor Dashi dhe Armend Trena./Indeksonline/