22:20 / E Hënë, 26 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Emocionuese, Çun Lajçi thur vargje rrënqethëse për të bijën e vdekur

Është bërë një vit që kur ndërroi jetë Bubulina Lajçi, e cila ishte vajza e aktorit të njohur kosovar, Çun Lajçi.

Që nga ajo kohë aktori vazhdimisht ka thurur vargje dhe poezi për ta kujtuar bijën e ndjerë, shkruan Indeksonline.

Edhe të fundit herë, aktori përmes një shkrimi në ‘Facebook’, ia ka kushtuar disa fjalë emocionuese Bubulinës.

Shkrimi i tij i plotë:

Remka
Kjo nanëmadhja
Bubulinë
Sa herë u nisa me ardhë të varri ndermend e pata me t’pyet:
Kush asht ajo nanë që vjen e flet me hijën tande?
Ban fotografi n’heshtje e me lotin e pikuem faqeve, përbihet Grykës së vjetër sa vet Zoti.
Kush asht ajo zojë e randë, si t’kishte dalë ngo poezitë e Vaso Pashës, që mallin e shkundë mbi dheun e nji vashe, kurrë pa e pa?
Sa herë t’erdha ndërmend me t’thanë e pata:Ç’janë ato flokë gruaje t’zbardhueme që hije t’bajnë mbi kokë e dhimbjën e nanës tande mundohet me marrë?
Unë kurrë s’ta thashë e ndërmend e pata me t’thanë mirake për atë grue nanë, që del si nga legjendat e shpirtin tand e merr n’gji, i ngroh faqet tua t’mërdhime me dashni nane e plot jetë për nipat e vet zbret rrjedhës se lumbardhit me shpresën se verën tjetër lule t’freskëta ka me t’sjellë.
S’ta thashë se vaji m’i përmbyti mendimet e rrugët m’u errën gjithmonë sa herë m’prunë tek ai grumbull dheu.
-E kisha pa n’filma nusën që shkonte të varri i nji burrit e vente lule!
-E kisha pa n’filma djalin që qante mbi varrin e nji vashe, po jo edhe nji grue zojë n’Drelajt e Rugovës të varri i sime bijë të cilën kurrë pa s’e kishte.
Por dje, n’përvjetorin e ikjës sate, kur t’erdha me Galën e Kosovaren me ta pru librin e dhimbjes sime, të koka t’rrinte llampa për dritë nate!
S’prita t’me rrembente vaj-malli por fola e t’thashë:
Bubë, ajo grueja që s’e njeh e nuk e njoh paska ardhë prap!
Dhe t’fola mirashe për zojën e randë që vjen e t’rrin të koka!
Ajo i kishte lexue letrat, ato që shkrue i kisha për Ty, e fjalë e dhimbje ishte ba e rrugë kishte marrë për tek dheu që rëndon mbi eshtnat tu.
S’kishte pritë t’me njoh mua as tet amë, por nanë për ty ishte ba!
Dhe s’prita ma. E thirra, dua t’shoh e ta di cila je i thashë!
E prita n’Dukagjin. Erdhi veshun në t’zeza, si n’filmat e Felinit. E bukur, e pjekun, e ambël. Plot hire hanmësh që dikur i kishte Peja!
M’thërrasin Remka tha, por Remzie Berisha jam, e na mori ngryk.
Foli për ty si për vajzën e vet e gati sa nuk qau. Ishte e lumtun që na takoi por fjalët i dukeshin pak, andaj e ledhatonte herë pas heri Galën.
Bubë
Ajo kishte dhimbje e të donte po aq sa mami.
Ajo e mbante n’gji hijën tande.
T’kishte sjellë edhe drita solare nga Holanda, e po e priste majin me t’i pru n’ditlindjen tande!
Po Bubë
Remka, Remzia, kjo nanë jotja zemërmadhja!

Temat: