13:09 / E Premte, 01 Qershor 2018 / indeksADMonline

Ende duhet punë në menaxhimin e mbeturinave

Ka vazhduar java për Zhvillim të Qëndrueshëm me konferencën mbi “Sfidat në sektorin e mbeturinave”, ku është bërë edhe ndarja e shpërblimeve për komunat fituese për garën në mjedis.

16 komuna të Kosovës, kanë fituar çmimin për arritje në fushën e menaxhimit të mbeturinave.

Ndërsa, çmimin për përmirësimin në shkallën e inkasimit e ka fituar komuna e Ferizajt, atë për përmirësimin e mbulueshmërisë, e ka fituar komuna e Klinës dhe çmimin për përmirësimin e deponive ilegale e ka fituar komuna e Pejës

Kurse, komuna e Fushë Kosovës ka fituar dy çmime, përmirësimin me të mirë në përgjithësi dhe performancën me të mirë.

Pas ndarjes së çmimeve, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka pasur një kërkesë për komunat fituese.

“Herën tjetër kisha dashur që këto çmime kur i marrin komunat t’i kemi edhe videot e gjendjes momentale, reale të mjedisit, që në fakt të shohim se me të vërtetë kemi bërë ndryshime dhe në njëfarë mënyre të falënderojmë dhe të ndihen krenarë të gjitha donatorët që po e ndihmojnë këtë garë”, tha Reshitaj.

Ndërsa, përfaqësuesi i zyrës së BE-së në Kosovë, Libour Chald theksoi se kapitulli i ambientit është njëra ndër më të shtrenjtat që do të jetë sfiduese për Kosovën që të implementohet.

Megjithatë, ai theksoi se është bërë shumë sa i përket legjislacionit për përputhje me atë të BE-së, por duhet ende punë që Kosova të jetë në përputhje të plotë me Bashkimin Evropian.

“Ne kemi dëgjuar që kemi partnerë në nivelin qendror dhe lokal dhe është esenciale që të punojmë së bashku sepse jemi këtu që të mbështesim për veprimet e juaja. Gjithashtu kemi dëgjuar që ne jemi duke punuar në diçka që është afatgjatë dhe kërkon ndryshime të mentalitetit dhe qëndrueshmërisë dhe këto janë mjaftë të vështira që të arrihen. Por unë besoj që nëse i bashkojmë përpjekjet tona së bashku, atëherë mund të bëjmë një dallim mjaftë kuptimplotë”, tha Chlad.

Ai e ka quajtur me rëndësi të madhe bashkëpunimi mes nivelit qendror dhe nivelit lokal, por edhe ndërmjet komunave.

Objektivat, tha ai nuk mund t’i arrijnë vetëm, por udhët të bashkëpunojnë.

Ndërsa, në një panel janë paraqitur edhe hapat e institucioneve qendrore dhe atyre lokale për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave.

Leotrim Sahiti, këshilltar i ministres Albena Reshitaj, ka paraqitur hapat të cilët kanë ndërmarrë për të përmirësuar procesin e menaxhimit të ambientit.

“Është shqetësuese fakti që ka komuna që nuk kanë fare inspektor të mjedisit. Kjo duhet të ndryshohet menjëherë, ne kemi kërkuar nga komunat që në planifikimet e tyre të fusin edhe shtimin e numrit të inspektorëve në mënyrë që  të kemi një funksionim me të mirë të gjendjes së mjedisit. Hap tjetër është edhe policia e gjelbër. Pas takimit që kemi pasur me MPB-në, jemi dakorduar që t’i shikojmë mundësitë ligjore që ta krijojmë policinë e gjelbër. Sepse me krijimin e saj sigurisht që do të përmirësohet gjendja dhe një zbatim me të madhe dhe me të mirë në teren sa i përket kornizës ligjore të mjedisit. Bashkëpunimi me qytetarët është një formë tjetër e realizimit të objektivave tona”, tha Sahiti.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka treguar për hapat që ka ndërmarr prej se ai ka marrë drejtimin e komunës, për menaxhimin e mbeturinave.

“Në kuadër të hapave reformues që kemi ndërmarrë në komunën e Vushtrrisë për procesin e menaxhimit të mbeturinave është krijimi i mekanizmit institucional brenda komunës ku kemi bërë emërimin e zyrtarit përgjegjës për mbeturina. Ky zyrtar tashmë do të jetë i ngarkuar ekskluzivisht me procesin e menaxhimit komplet të mbeturinave. Ky është hapi i parë që është kërkuar me ngulm nga partnerët tanë strategjik dhe mendojmë dhe besojmë shumë që do ta lehtësoj punën në këtë drejtim”, u shpreh Tahiri.

Në këtë konferencë, po ashtu janë shpërblyer me çmime edhe Kompania “Pastrimi” e cila ka marrë çmimin për mbulueshmërinë më të mirë, kompania “Pastërtia” ka marrë çmimin për vlerën me të lartë të inkasimit dhe kompania “Ambienti” ka fituar çmimin për pastrimin e deponive ilegale. Në kuadër të Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm janë mbajtur edhe një sërë aktivitetesh tjera gjatë ditëve të kaluara.