17:27 / E Mërkurë, 12 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Erdogan nuk e pyet Amerikën: Operacioni kundër kurdëve do të fillojë brenda pak ditësh

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, njoftoi se operacioni për të çliruar lindjen e Eufratit në veri të Sirisë nga organizata kurde YPG/PKK do të fillojë brenda pak ditësh.

Sipas tij, SHBA ka avancuar tutje marrëdhëniet me organizatën kurde, madje duke valëvitur flamurin e tyre pranë atij të kurdëve.

“Kush me kë është? Flamuri i tyre pranë leckave të tyre. Këtë çështje madje e çuan deri aty sa të organizojnë patrulla dhe trajnime të përbashkëta”, deklaroi Erdoğan.

“Pavarësisht çdo gjëje, ne Amerikën e shikojmë si aleatin tonë me të cilin mund të ecim së bashku në të ardhmen, por me kusht që të ndodhemi në të njëjtat baza të drejta. Mosmarrëveshjet tona të thella në politikën siriane, që ne e shohim si çështje ekzistenciale për vendin tonë, nuk duhet t’i lejojmë të përbëjnë pengesë për bashkëpunimet tona më të mëdha në të ardhmen”, tha presidenti Erdoğan.

“Me këtë qasje, shprehemi se brenda disa ditëve do të fillojmë operacionin tonë për të pushtuar lindjen e Eufratit. Në cakun tonë nuk janë asnjëherë ushtarët amerikanë, por vetëm anëtarët e organizatës terroriste që operojnë në rajon”, shtoi Erdoğan.

Ai deklaroi se pavarësisht fjalimeve pozitive përballë Turqisë, SHBA ka zgjedhur të pozicionojë në terren me kurdët e YPG/PKK kundër ISIS-it.

“Së fundmi, ata filluan të hedhin hapa për trajnimin e 30 mijë terroristëve në rajon. Thonë se nuk ka një gjë të tllë. E gjithë media botërore e ka konstatuar këtë. Të gjithë i kanë këto informacione”, tha presidenti i Turqisë.