19:23 / E Mërkurë, 31 Maj 2023 / S Z

Erdogani bisedon me Kurtin e Vuçiqin: Turqia e gatshme të kontribuojë në dialog

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas njoftimit të presidencës turke, në këto biseda është trajtuar edhe çështja e fundit e tensioneve në veri të vendit, për çka ai ka thënë se dialogu është e vetmja metodë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.

“Gjatë bisedave ku u adresuan marrëdhëniet bilaterale dhe çështjet rajonale, presidenti Erdogan, në lidhje me zhvillimet që po ndodhin në veri të Kosovës, deklaroi se sigurimi i progresit në procesin e dialogut është metoda e vetme për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon”.

Presidenti turk vuri në dukje se “Turqia është e gatshme të japë kontributin e nevojshëm në procesin e dialogut”.

Në biseda, Kurti dhe Vuçiqi e kanë uruar homologun e tyre turk për rizgjedhjen.