19:22 / E Premte, 05 Qershor 2020 / indeksADMonline

Eros Grezda dënohet rëndë edhe nga klubi i tij

Futbollisti kosovar Eros Grezda të enjten ishte dënuar me katër ndeshje moslojë nga Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kroacisë.

Të premten ai është gjobitur edhe nga klubi i tij, Osijek. Madje Osijeku ia ka ndarë gjobën më të lartë të mundshme.

Grezda është dënuar nga federata e klubi për shkak të incidentit pas ndeshjes me Rijekën, fundjavën e kaluar.

Në parking në afërsi të stadiumit, Grezda kishte goditur me shuplakë në kokë një lojtar kundërshtar. Për sulmin e tij kanë raportuar shumë mediat kroate, por edhe mediat në rajon dhe në vende të ndryshme evropiane.

“Në përputhje me rregulloren disiplinore dhe pas incidentit në Rijekë me të përfunduar ndeshja gjysmëfinale e Kupës, Osijeku ka dënuar me para lojtarin Eros Grezda. Ndonëse për veprimin e tij sulmuesi ynë ka thënë se ishte i provokuar nga lojtari kundërshtar dhe është ofenduar në baza nacionale, kryesia e NK Osijek ka marrë qëndrim që reaksioni i Grezdës ishte i papranueshëm dhe i palejuar për një sportist. Për këtë i është ndarë dënimi maksimal, përkatësisht gjoba më e lartë e lejuar e klubit për situata të tilla dhe të ngjashme. Konkretisht bëhet fjalë për ndalese të 20 për qind të të hyrave të tij për një vit”, thuhet në njoftimin e Osijekut.

Te Rijeka kanë lënë të kuptohet se nuk janë të kënaqur me dënimin e federatës ndaj Grezdës.

“Dënimi është i tillë që nuk e meriton asnjë koment. I urojmë të përfshirët për atë vendim, pasi është shembull shumë i mirë për të gjithë në shoqëri dhe sport, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë që merren me futboll dhe për të cilët lojtarët e kampionatit janë shembull”, ka thënë Ivan Mance, zëvendës i drejtorit sportiv të Rijekës.

Te Rijeka kanë thënë se kanë shikuar incizimin e ndeshjes dhe kanë konfirmuar se Grezda dhe sulmuesi i Rijekës, Antonio Çolak nuk kanë qenë asnjëherë në kontakt dhe nuk kanë shkëmbyer asnjë fjalë.