18:47 / E Martë, 17 Shtator 2019 / indeksADMonline

Facebook pezullon “chat-botin” e kryeministrit izraelit

Facebook ka pezulluar një “chat-bot” në llogarinë e kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanyahu, pasi ka shkelur ligjin që ndalon sondazhet e opinionit publik gjatë ditëve para mbajtjes së zgjedhjeve.

Kjo është hera e dytë brenda një javë që Facebook ka ndërmarrë veprime kundër faqes së Netanyahu, i cili përdor një veçori të automatizuar bisede për të komunikuar me ndjekësit, raportoi AP.

Javën e kaluar, Facebook sanksionoi faqen e kryeministrit izraelit për shkeljen e një ndalimi të gjuhës së urrejtjes në rrjetin social.

Në një deklaratë të sotme, Facebook tha se kishte pezulluar chat-bot për shkelje të ligjit vendor derisa qendrat e votimit në Izrael u mbyllën sot.

Në një video të postuar në Facebook, Netanyahu e quajti masën “jo proporcionale” dhe “të padrejtë”, duke pretenduar se partia e tij Likud ishte në shënjestër të komisionit zgjedhor të vendit.

Bëhet fjalë për një asistent virtual që falë inteligjencës artificiale, iu përgjigjet me mesazhe kërkesave të përdoruesve.