11:29 / E Martë, 09 Janar 2018 / indeksADMonline

Fahredin Gashi, “i sëmuri mental”, shfaqet i relaksuar në Gjykatë (Foto)

Seanca ndaj 40 të akuzuarve për rastin “Toka”  nuk është mbajtur pasi gjyqtarja Nora Bllaca nuk ishte e pranishme në Gjykatën Themelore.

I akuzuari kryesor në këtë rast, ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, ishte i pranishëm në sallë. Mirëpo, në këtë seancë nuk mungoi edhe Fahredin Gashi, i cili e kishte shpallur vetën të “sëmurë mendor”.

Në disa foto të bëra nga “Indeksonline” i njëjti shihet i  relaksuar derisa sillet në Gjykatë nga pjesatëret e Shërbimit Korrektues.

Ndryshe, për Gashin është raportuar se është zbuluar duke bërë biznes nga burgu.   Ndërsa “sëmundja mendore” nuk e ka penguar që të bëjë biznes me prona shtetërore edhe nga burgu.

I dënuar me 15 vjet burg në rastin “Bllaca 1” dhe i akuzuar në rastin “Blllaca 2”, është përgjuar duke komunikuar me anëtarët tjerë të grupit, gjatë kohës kur ai është paraqitur me çrregullime mendore.

Vlen të theksohet se Gashi në dëshminë për Tribunalin e Hagës kishte folur për kidnapimet që kanë ndodhur gjatë luftës nga ana e UÇK-së.

Gashi bënte fajtor Fatmir Limajn, Shukri Bujën, Rremin, Sylejman Selimin e Ramush Haradinajn si përgjegjës për kidnapimet që janë kryer në zonat e tyre.

I pyetur nga hetuesi ndërkombëtar se a ka pasur kidnapime gjatë luftës, Gashi tregon se po ka pasur kidnapime sepse ka pasur njerëz që kanë kërkuar të afërmit e tyre.

Kur pyetet se çfarë kanë ndodhur me fatin e tyre, Gashi thotë se ata janë vrarë, ku bën përgjegjës komandantët e zonave, përmend Fatmir Limajn si përgjegjës për zonën e vet bashkë me Shukri Bujën, Komandant Remin si përgjegjës për Zonën e Llapit,Sylejman Selimin për Zonën e Drenicës. /Indeksonline/