11:20 / E Enjte, 24 Tetor 2019 / indeksADMonline

Familja Dehari: Raporti tregon se Astriti u vra në burg

Familjarët e Astrit Deharit kanë qëndruar sot në Prokurorinë Themelore në Prizren, për të marrë raportin e Institutit Zviceran të Mjëkësisë Ligjore lidhur me vdekjen e djalit të tyre në burgun e Prizrenit.

Babai i Astritit deklaroi para mediave se nga konkluzionet e deritashme kanë kuptuar se bëhet fjalë për vrasje dhe jo për vetëvrasje.

“Sipas kësaj duhet të hapen hetimet për vrasjen e  Astrit Deharit në nëntor të vitit 2016 në burgun e Prizrenit. Shfrytëzoj rastin si prind në radhë të parë të falënderoj avokatin Tomë Gashi që vullnetarisht është paraqitur për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti. Në rastin e Astrit Deharit që e kanë vrarë në Burgun e Prizrenit, përgjegjës  janë përpos Sylë Hoxhës me kompaninë e tij edhe ministrja e atëhershme e Drejtësisë, Dhurata Hoxha. E kemi marrë raportin në dy gjuhë, por nga ajo çfarë na u tha është vrasje. I besojmë këtij raporti nga Lozana, sepse janë të pa korruptuar dhe nuk duan të njollosin karrierën e tyre për interesa të një elite politike. S’kemi nevojë të kërkojmë raport më, sepse është sqaru, konkluzionet janë të qarta. Duhet marrë përgjegjësi të gjithë ata njerëz në zinxhirë që patën të bëjnë me rastin e Astritit. S’do të ndalojmë deri në zbardhjen e  rastit të djalit tonë dhe marrje së përgjegjësisë nga ata që kanë pasur të bëjnë me këtë.Duhet besuar se drejtësia do të vie në binar dhe të zbardhet ky rast.”, tha babai, Avni Dehari.

“Këtu kemi zarfin që ka ardhur prej Zvicrës, data që iu ka mbërri se është bërë shumë bujë për këtë 4 tetor letra rekomanduese është lëshuar prej Zvicrës, këtu janë edhe vulat edhe të gjitha. Kjo është qu prej Zvicre me katër tetorë. Nuk jemi të shokuar, se ne e kemi ditë që Astritin e kanë vra në burg, por juridikisht nuk ka qenë e mbyllur. Janë bërë tre vjet  e neve na kanë zi në kazan si familje. Sylë Hoxha është ai që ka dalë e ka thënë se brenda 15 ditëve do të mbyllet si vetëvrasje, e kjo nuk dul vetëvrasje. Pra le të bëhen hetimet, le ta gjejnë vrasësin. Është raporti 50 faqe, vetëm përfundimin e kemi lexu, por kërkuam nga Prokurori të na tregojë pjesën ku thuhet se është vrasje”, tha nëna e Astritit./Indeksonline/