18:13 / E Enjte, 04 Qershor 2020 / indeksADMonline

Fasada më e madhe e gjelbër në Evropë

Si përgjigje ndaj ndryshimeve klimatike gjithnjë e më të theksuara, në zemër të qytetit Düsseldorf është ndërtuar një ndërtesë e pazakonshme: më shumë se 30.000 bimë e mbulojnë fasadën e objektit pesëkatësh afarist Kö-Bogen II

Bimët, kryesisht kacavjerrëse, janë vendosur në fasadë në formën e gardhit të gjallë i cili shtrihet në 8 kilometra nëpër muret e pjerrëta dhe kulmin e ndërtesës, të cilën e ka projektuar studio gjermane e arkitekturës Ingenhoven Architects.

Pos bimëve, në fasadë është vendosur edhe sistemi për ujitje dhe drenazhim, mirëpo sipas projektuesve, pritet që fasada e gjelbër t’i kontribuojë pastrimit të ajrit sa edhe 80 trungje pemësh fletërënëse.

Pos dukjes atraktive, vegjetacioni në fasadë siguron edhe izolim më të mirë të ndërtesës, por i kontribuon edhe uljes së temperaturës së ajrit në ambientin e ndërtesës, gjë që është posaçërisht e rëndësishme për ambientet e qyteteve gjatë ditëve të ngrohta.

Për gjelbërimin e ndërtesës është zgjedhur shkoza e bardhë, bimë e cila është vendore, andaj vetvetiu është rezistuese dhe e përshtatshme për mirëmbajtje, transmeton Telegrafi

Bimët mbajnë fletët e tyre edhe gjatë dimrit, janë rezistuese ndaj goditjeve të erërave të forta, andaj probabiliteti i vogël është që të dëmtohen nga dëmtuesit, por kërkojnë vetëm dy deri në tri krasitje gjatë vitit.

Përveç objektit kompleks të hapësirave të zyrave gjendet edhe një objekt i vogël në formë trekëndëshi në të cilin janë vendosur restorantet dhe shitoret, kulmi i të cilave gjithashtu është i mbuluar me gjelbërim.