09:41 / E Diele, 03 Dhjetor 2023 / Gj. Sh

Federata italiane nis hetimin për Mourinhon

Jose Mourinho nuk mund të qëndrojë pa krijuar polemikë. Në konferencën për shtyp para ndeshjes së radhës në Serie A, atë në transfertë ndaj Sassuolos, tekniku i Romës shënjestroi arbitrin e vendosur për të ndarë drejtësinë në këtë sfidë.

Sipas Mourinhos, një si Marcenaro nuk ka qëndrueshmërinë e duhur për nivelin e ndeshjes mes Sassuolos dhe Romës. Kjo deklaratë nuk ka kaluar pa u vënë re me Federatën Italiane të Futbollit që tashmë ka nisur një hetim për teknikun e verdhekuqve.

“Kundër Sassuolos kemi pasur gjithnjë vështirësi. Pastaj më duhet të tregohem i sinqertë, më shqetëson edhe arbitri. Na ka gjykuar disa herë dhe mendoj se nuk ka qëndrueshmërinë për një sfidë të këtij niveli. Profili i tij bën që unë të mos jem i qetë, jam njësoj i shqetësuar edhe për VAR-in”, u shpreh Mourinho.

Kështu, Federata ka nisur hetimin për deklarata që dëmtojnë imazhin e arbitrit dhe mbetet për t’u parë në ditët në vijim nëse do të ketë apo jo një pezullim për Mourinhon.