18:15 / E Shtunë, 26 Maj 2018 / indeksADMonline

Ferizaj asgjëson rreth 1 ton qumësht dhe produkte të tij të prishura (Foto)

Inspektorati i Komunës së Ferizajt ka konfiskuar afro 1 ton qumësht dhe nënprodukte të tij të prishura.

Përmes një komunikate, komuna ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme ku Inspektorati është njoftuar nga Policia e Kosovës për një mjetë transporti që po barte qumësht dhe nënprodukte të tjera, shkruan Indeksonline.

Ky është njoftimi i komunës së Ferizajt:

Konfiskohen dhe asgjësohen afro 1 ton qumësht dhe nënprodukte të tij të prishura

Me fuqizimin dhe mbështetjen e Inspektoratit Komunal me vendim të Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, ky mekanizëm mjaft i rëndësishëm institucional po shënon suksese të jashtëzakonshme në garantimin e shëndetit publik për qytetarët ferizajas përmes kontrollit të vazhdueshëm të cilësisë së produkteve që ofrohen në treg në territorin e Ferizajt.

Paraditen e sotme, Inspektorati Komunal ka marr njoftimin nga Policia e Kosovës, gjegjësisht Njësia e Trafikut Rrugor në Ferizaj për ndalimin e një mjeti transportues që po bartte ngarkesa të mëdha të qumështit dhe nënprodukteve të tij, me dyshimin se po bartnin këtë ngarkesë pa plotësuar kushtet e transportit.

Inspektorati Komunal ka dalur menjëherë në inspektim të ngarkesës në këtë mjet transportues nga ku u konstatua se afro 1 ton qumësht dhe nënprodukte të tij janë të prishura, prishje që është shkaktuar përshkak mosplotësimit të kushte të transportit.

Përkitazi me këtë rast, Inspektorati Komunal ka bërë konfiskimin dhe asgjësimin e kësaj sasie dhe ka nisur procedurat e nevojshme pranë organeve të drejtësisë.

Sasia e konfiskuar dhe asgjësuar ishte e destinuar për shpërndarje në pika të ndryshme shitëse në Ferizaj.

Inspektorati Komunal falënderon Policinë e Kosovës, gjegjësisht Njësinë e Trafikut Rrugor për bashkëpunimin dhe vigjilencën ndaj këtyre rasteve, njëherazi inkurajon qytetarët ferizajas të denoncojnë rastet ku hasin në produkte të dyshimta në pikëpamje të cilësisë dhe kushteve të ruajtjes. /Indeksonline/