14:58 / E Mërkurë, 30 Maj 2018 / indeksADMonline

Festivali tradicional ‘Mirëdita, Dobar Dan’ nervozon radikalët serbë (Foto)

Partia e kriminelit të luftës i dënuar në Hagë Vojislav Sheshel, Partia Radikale Serbe ka deklaruar se do të bëjë çka do që është e mundshme për të penguar mbarëvajtjen e festivalit Mirëdita, Dobar Dan i cili i organizuar nga organizatat jo-qeveritare, tash e disa vite prezanton artistët e rinj kosovar në kryeqytetin serb.

Krahas Partisë Radikale kundër festivalit janë shprehur edhe partitë tjera nacionaliste serbe. Për më shumë, veprat artistike, pikturat dhe karikaturat e artistëve kosovar po i pengojnë edhe vet zyrtarëve të shtetit serb. Policia kufitare serbe në Merdare, ka kryer një kontroll të rreptë të autobusit me të cilin udhëtonin të rinjtë kosovar pjesëmarrës të festivalit, duke mos lejuar që në Serbi të futën disa punime artistike. Ka reaguar zv,kryeministri Enver Hoxhaj i cili në profilin e tij në tëitter ndër tjerash ka shkruar: “Skena të turpshme në kufi, gjersa zyrtarët kufitar serb keqtrajton artistët. Shoqëruar me fotot ku shihen policët serb duke kontrolluar autobusin dhe punimet, z. Hoxhaj e ka përfunduar reagimin duke kërkuar që kjo të ndalet ose do të ketë masa reciproke, për të konstatuar se: “Marrëdhëniet nuk mund të normalizohen nëse ndalohen artistët që të marrin pjesë në ekspozitë”.

Ka reaguar edhe regjisori Kushtrim Koliqi,drejtor i OJQ Integra njëra nga organizatat që e realizojnë festivalin, duke thënë se “e gjithë kjo tregon se i ashtuquajtur proces i normalizimit, i marrëveshjeve të nënshkruara në Beograd nuk vlejnë asgjë.

Kjo tregon se procesi i Brukselit është fiasko”. Koliqi ka shtuar gjithashtu se trajtimi i sotshëm artistëve kosovar nga autoritet kufitare serbe i kanë kujtuar skenat e luftës 98-99: “Për një moment mu kujtuan radhët e civilëve kosovarë para dhe gjatë luftës duke u radhitur e maltretuar nga njerëz që bartnin uniforma sikurse këta sot”, ka thënë Koliqi.

Se edhe ky vit i 5-ti me radhë i Festivalit Mirëdita, Dobar Dan nuk do të kalon pa kundërshtimet e nacionalistëve serb, u kuptua qysh mbrëmë, kur një ditë para hapjes, në Beograd protestuan radikalët e Sheshelit, megjithëse numri i tyre ishte shumë i vogël. “Më shumë pat gazetar sesa protestues, në total ishin vetëm 12 veta” ishte njëri nga komentet e gazetarëve të rajonit që mbuluan protestën e djeshme.

Burimet e Indeksonline konfirmojnë se autobusi me artistët kosovar që për 4 ditë të prezantojnë kreativitetin e tyre në Beograd, pas kontrollit kufitar, ku tri punime nuk u lejuan që kalojnë, është duke iu afruar Beogradit. Ardhja e tyre në kryeqytetin serb pritet rreth orës 16 gjersa festivali hapet në orën 19.00. Sikurse edhe viteve të kaluara, shteti serb ka angazhuar një numër të madh të forcave policore në mënyrë që të sigurojë mbarëvajtjen e ngjarjes. Sonte është paraparë që të prezantohen punimet e karikaturistëve kosovar dhe serb në temën e bisedimeve Prishtinë – Beograd, pjesë e projektit Ura, Dialogu Civil Prishtinë Beograd. Ekspozita me punimet e Murat Ahmeti, Mentor Llapashticës nga Prishtina dhe e Predrag Koraksiç Corax nga Beogradi, më parë ishte prezantuar në Graçanicë dhe në Prizren./Indeksonline/