FIFA me rregullore të re, do të lejojë ligat të luajnë një ndeshje jashtë vendit
FIFA po përgatitet të miratojë një ndryshim të rëndësishëm në rregulloren e garave, duke hapur rrugën që ligat vendase të zhvillojnë nga një ndeshje jashtë territorit të tyre çdo sezon.
Sipas The Guardian, institucioni më i lartë i futbollit botëror është duke hartuar një protokoll të ri që do t’u mundësojë ligave elitare të zhvendosin një ndeshje në një vend tjetër, si pjesë e strategjisë për zgjerimin global të sportit, shkruan IndeksOnline.
Kjo nismë nuk është pa precedent. Vitin e kaluar, Barcelona dhe Villarreal kishin planifikuar të luanin një ndeshje në Miami, ndërsa Milan dhe Como synonin të përballeshin në Perth. Megjithatë, këto projekte nuk u konkretizuan për shkak të pengesave rregullatore.
Sipas draftit aktual, çdo kërkesë për zhvillimin e një ndeshjeje jashtë vendit duhet të marrë një sërë miratimesh: nga federata kombëtare e klubeve përkatëse, konfederatat përkatëse kontinentale, si dhe nga federata dhe konfederata e vendit pritës, përpara se të shqyrtohet përfundimisht nga FIFA.
Burime pranë procesit bëjnë të ditur se FIFA synon ta finalizojë këtë protokoll për sezonin e ardhshëm, ndërsa çështja pritet të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të grupit punues, ku do të përcaktohen detajet përfundimtare të zbatimit./IndeksOnline/

