16:04 / E Mërkurë, 02 Maj 2018 / indeksADMonline

Filharmonia e Kosovës me tri koncerte në Angli

Kori i Filarmonisë së Kosovës për herë të parë do të paraqitet para publikut anglez me tri koncerte dhe dy programe të ndryshme në Hastings dhe Londër.

Kështu është bërë e ditur gjatë një konference për media të cilës i parapriu një performancë e shkurtë e 40 anëtarëve të Filharmonisë së Kosovës.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha se ky projekt është shumë i veçantë pasi ky projekt ka filluar qysh në vitin e kaluar me ftesë të dirigjentit të Filharmonisë së Hestings-it, Marcio Da Silva.

 

“Bëhet fjalë për një turne koncertale të njësisë së korit të Filarmonisë që do të realizoj një siç e përmenda një turne koncertale me tri prezantime, me tri koncerte. Dy në qytetin Hastings dhe koncerti përfundimtar përmbyllës pikërisht mos të themi në qendër të Londrës ku do të prezantohet pra kori i Filarmonisë. Ky projekt të themi ka filluar qysh vitin e kaluar me iniciativën e dirigjentit brazilian, i cili jeton dhe vepron në Britani të Madhe bëhet fjalë për dirigjentin, Marcio da Silva. Ai ka bërë një ftesë nga institucioni ku ai e drejton nga Filharmonia e Hastingsut i ka bërë ftesë korit të Filarmonisë që të jetë pjesë e koncertit të përbashkët me korin e tij dhe orkestrën e tij”, u shpreh Jashari.

Koncerti i parë do të mbahet më 5 maj dhe do të vazhdojë më 6 maj ku do të prezantohet vetëm Kori i Filharmonisë së Kosovës me projektin “Kthim në të kaluarën.

 

“Më 6 maj të dielën Kori i Filarmonisë do të prezantohet me koncertin e parë vetanak me dirigjentin, Rafet Rudi dhe natyrisht vetëm me Korin e Filarmonisë me një program mjaftë kompleks do thosha bile edhe ne e kemi quajtur si projekt “Kthim në të kaluarën” paksa një titull interesant, pra një udhëtim muzikor nënkupton interpretimin e literaturës që nga shekulli i 13’të“, tha ai.

E për dirigjentin Rafet Rudi këto tri koncerte në Britani të Madhe janë mjaft ambicioze pasi që do kenë mundësi të paraqiten me një program të pasur me muzikë korale shqiptare.

 

“Kjo ka një vlerë posaçërisht të madhe. Do të thotë përpos programit të koncertit të parë që do të jetë me orkestër në Hastings ne i kemi pra dy koncerte dhe programi i këtyre dy koncerteve në Hastings dhe Londër është një program mirë i peshuar do të thosha dhe i sajuar mbi disa parametra që neve na është dukur që do të jetë e rëndësishme ta prezantojmë atë jashtë Kosovës në një ambient çfarë është Britania. Ne programin e kemi sajuar duke pasur kujdes që veprat e përfshira të jenë reprezentative së pari të muzikës korale tona” u shpreh Rudi.

Sipas tij qëllimi i këtij programi është të përfshijë sa më shumë nga fusha e krijimtarisë tonë.

Adelina Paloja, e cila në këto koncerte do ketë rolin e solistes soprano, tha se do të mundohen të japin më të mirën për ta prezantuar Kosovën sa më mirë.

 

“Natyrisht se këtë e shoh si një mundësi dhe si një rezultat i një pune të madhe që është bërë nga institucioni me gjithë problemet teknike edhe financiare që një ansambël me një numër aq të madh të konsiderueshëm paraqitet jashtë vendit. Andaj me gjithë kapacitetet tona ne edhe si ekip edhe si ansambël edhe individualisht vërtetë jemi munduar që të japim më të mirën tonë që rezultati final nga kjo punë kolosale që është bërë të jetë ai i duhuri dhe të jetë ai i dëshirueshmi edhe për ne si institucion, por edhe në nivelin kombëtar”, ka deklaruar solistja Paloja.

Në këto paraqitje në Britani të Madhe, Kori i Filharmonisë së Kosovës do të prezantojë vepra të kompozitorëve, si Lorenc Antoni, Gjergj Danush Llapacaj, Jan Kukuzeli,Rexho Mulliqi, Rafet Rudi, Baki Jashari, Thomas Simaku e Mendi Mengjiqi.

Ndërsa do të këndohen edhe vepra të kompozitorëve të huaj si Tomas Luis de Victoria, Benjamin Britten, John Dowland dhe Jake Runestad. I njëjti program do të interpretohet edhe më datën 7 në Londër.