15:13 / E Premte, 17 Janar 2020 / indeksADMonline

Fisi mohon akuzat për plagjiaturën e Tiranës

Ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Fisnik Ismaili dizajner dhe themelues i agjencisë “Karrota”, autori i monumentit “NewBorn’ ka mohuar akuzat se logoja e përzgjedhur për shënimin e 100 vjetorit të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë, është plagjiaturë.

Bashkia e Tiranës ka përzgjedhur dje propozimin e agjencisë “Karrota” logo fitues për shënimin e 100 vjetorit Tiranës si kryeqytet shqiptar.

Indeksonline raportoi e para rreth kësaj vjedhje.

Përmes një postimi në Facebook, Fisnik Ismaili themelues i “Karotës” i është përgjigjur akuzave.

“Të nderuem gazetarë e dizajnera amatorë, për me e akuzue dikë për plagjiaturë, duheni të paktën me pasë një fije njohuni për dizajnin. Kryesorja, me dijtë me e dallue stilin (trendin/mediumin) prej konceptit. Dytësorja, mos me vuejtë prej kompleksit të mosdijes, e me ba kësi gabimesh prej dëshirës me u dukë të dijshëm. Këtu janë dhjeta shembuj të përdorun në botë të logove që e përdorin stilin e njajtë të dizajnit shumëngjyrësh, gjysëm të tejdukshëm, ku ngjyrat i hypin njana-tjetrës përmi dhe kombinohen. Google është një që e përdorë kohës së fundit shumë”, ka shkuar ai në Facebook.

Për dallim prej tyne, shkruan më tej Ismaili në reagimin e tij në Facebook, origjinaliteti i logos së Tiranës është pikërisht te gjetja e bukur e inkorporimit të numrit 100 në emër, duke e përdorë stilin (trendin) në fjalë.

Sipas tij, kishte tentime me e qaujtur dikur edhe  Monumentin “NEWBORN” plagjiaturë, vetëm, siç ka thënë ai,  pse ishte skulpturë tipografike si “IAMsterdam” dhe “LOVE” e ‘NEWBORN’ shkoi i fitoi 7 çmime ndërkombëtare!

“Po të kishit qenë edhe ju profesionistë sikur Karrota, vendi ynë sot kish qenë shumë më i bukur. Pse bre folni për tema që as nuk keni njohuni për to? A unë nime po ju dukem qaq budallë, që me ba plagjiatura që sot gjinden për 10 sekonda në Google? Dëshira juej e etshme me e zanë nji profesionist si Fisi pick ju ka dështue gjithmonë, o hej! E problemi është që ju s’po e keni as lidhjen më të vogël për çashtjet më thelbësore të dizajnit. Provoni punoni, ndoshta ju del më mirë. Na edhe sot po festojmë”, ka shkruar Ismaili në Facebook.